Kush jemi ne?

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), është agjenci e pavarur e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit Nr.06/L-.082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit NR.06/L-081 për Qasjen në Dokumente Publike në Republikën e Kosovës.

Qëllimi kryesor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizik lidhur me përpunimin e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike, me qëllim të transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve publike.

Agjencia i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe vepron si e pavarur në përmbushjen e detyrave dhe ushtrimin e kompetencave të saj, operon lirshëm nga ndikimi i jashtëm dhe nuk merr udhëzime nga askush.

Detyrat dhe kompetencat e AIP-së janë përcaktuar në kuadër të dispozitave ligjore për të cilat agjencia është përgjegjëse për mbikëqyrje.

Bazuar në legjislacionin e Republikës së Kosovës, Agjencia ka të drejt të ndërmarrë masa dhe shqiptoj  gjoba të cilat parashihen me Ligjin NR.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike si dhe Ligjin Nr.06/L-.082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia për Informim dhe Privatësi merret edhe me promovimin dhe informimin e institucioneve publike për zbatimin e këtyre ligjeve, njëherit ofron edhe trajnime në fusha të mbikëqyrjes, sesione informuese, konferenca në institucionet publike por edhe më gjerë, të cilat ndërlidhen me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Përgjegjësitë tjera të agjencisë janë si në vijim:

  • Monitorimi dhe raportimi i respektimit të këtyre ligjeve në institucionet publike
  • Rekomandimi i ndryshimeve dhe reformave të natyrës së përgjithshme
  • Bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për organizimin dhe mbajtjen e trajnimeve për qasje në dokumente publike
  • Publikimin e detyrimeve të institucioneve publike që rrjedhin nga ky ligj
  • Garantimin e të drejtave të secilit person në kuadër të këtyre ligjeve
  • Shqiptimin e masave të parashikuara në kuadër të ligjit
  • Inicimin e procedurave të deklasifikimit të dokumenteve të klasifikuara sipas ligjit përkatës për klasifikimin e dokumenteve.

AIP bashkëpunon me institucionet shtetërore si dhe me organizatat ndërkombëtare me qëllim të promovimit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Qasjen në Dokumente Publike.

 

Qasja në Dokumente Publike

Qasja në dokumente publike është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nga viti 2019, Kosova ka në fuqi Ligjin për Qasje në Dokumente Publike i cili ka përmirësuar në përgjithësi rregullativën ligjore dhe ka avancuar qasjen në dokumente publike.

Ligji është në përputhje me standardet ndërkombëtare në fushën e qasjes së dokumenteve publike, duke garantuar të drejtën e secilit person fizik dhe juridik për qasje në dokumente të institucioneve publike.

Agjencia për Informim dhe Privatësi është institucion përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji dhe trajtimin e ankesave, duke përfshirë edhe ofrimin e ndihmës me qëllim të llogaridhënies dhe transparencës të institucioneve publike.

 

Mbrojtja e të Dhënave Personale

Mbrojtja e të Dhënave Personale në Republikën e Kosovës garantohet me mbrojtje kushtetuese e ligjore, bazuar në Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, rregullohet e drejta e privatësisë, respektimi i jetës private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës, konfidencialiteti i korrospondencës, telefonisë, komunikimeve dhe mbrojtja e të dhënave personale.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është në harmoni me Rregulloren e BE-së 2016/679 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 27 prill 2016, për mbrojtjen e personave fizik sa i përket përpunimit të të dhënave personale.

AIP është institucion përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtij ligji, me ç’ rast AIP ka ndërmarrë një sërë iniciativash të cilat janë në funksion të avancimit të mbrojtjes të të dhënave personale duke trajtuar një numër të konsiderueshëm të ankesave, duke shqiptuar gjoba për shkelje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale.

Këshilldhënia e organeve publike dhe private, marrja e vendimeve për ankesat e paraqitura, inspektimet dhe kontrollet, informimi i publikut, promovimi dhe përkrahja e të drejtave themelore për mbrojtjen e të dhënave personale janë pjesë e fushëveprimtarisë kryesore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.