Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, priti sot në takim ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, Zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti, dhe Kryeshefin e Inspektoratit të Policisë, z. Kushtrim Hodaj, me qëllim të koordinimin institucional për parandalimin dhe trajtimin e menjëhershëm të rasteve të rrjedhjes së të dhënave personale.
Me theks të veçantë, u diskutua domosdoshmëria e identifikimit dhe vendosjes para përgjegjësisë së personave që, përmes rrjedhjes së informatave, dëmtojnë imazhin e qytetarëve dhe pengojnë proceset hetimore. Në këtë kontekst, takimi shërbeu si një pikënisje për konkretizimin e veprimeve të përbashkëta ndërinstitucionale që synojnë forcimin e mekanizmave të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe reagimin e koordinuar në adresimin dhe parandalimin e rasteve te tilla.