Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bashkëpunim me Platformën CiviKos dhe Institutin për Teknologji dhe Shoqëri, ka filluar mbajtjen e Sesioneve Rajonale të Informimit mbi mbrojtjen e të dhënave personale.

Deri më tani, këto sesione janë zhvilluar në rajonin e Gjilanit, Pejës dhe Prizrenit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet publike lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset.

Qëllimi i këtyre sesioneve është fuqizimi i njohurive praktike për zbatimin e detyrimeve që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe përforcimi i mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e privatësisë në nivel lokal. Përkatësisht, pjesëmarrësit janë informuar mbi:

Përgjegjësitë ligjore për trajtimin e të dhënave personale në sektorin publik dhe privat;

Rolin e Zyrtarëve për Mbrojtjen e të Dhënave në institucionet dhe organizatat përkatëse;

Ndikimin e teknologjisë në sigurinë e informacionit dhe sfidat që paraqiten në epokën digjitale;

Praktika konkrete nga terreni dhe sfida gjatë zbatimit të ligjit në kontekstin lokal.

Këto aktivitete zhvillohen në kuadër të projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Sigurisë Kibernetike në të gjithë sektorët në Kosovë”, me mbështetje nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.
Agjencia për Informim dhe Privatësi do të vazhdojë organizimin e sesioneve të tilla edhe në komuna të tjera të vendit, me synim ndërtimin e një kulture gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të mbrojtjes së të dhënave personale në Kosovë.