Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, mori pjesë si paneliste në diskutimin me temë: “Përmirësimi i përvojës së klientëve të bankave dhe pajtueshmërisë: zgjidhje digjitale të zgjuara për përditësimin e të dhënave të klientëve me rrezik të ulët”, organizuar në kuadër të edicionit të dytë të Kosova Finance Forum 2025.
Në fjalën e saj, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku u fokusua në rëndësinë e balancimit ndërmjet digjitalizimit të proceseve për përditësimin e të dhënave të klientëve dhe respektimit të parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale. Në këtë kontekst, ajo bëri thirrje që çdo zgjidhje digjitale të sigurojë kontroll të duhur mbi përpunimin e të dhënave dhe të jetë në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Paneli, i moderuar nga z. Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, përfshinte përfaqësues të lartë të sektorit financiar dhe institucional, përfshirë z. Suat Bakkal (BKT), z. Blerim Camaj (ARC), z. Ilir Hasani (BQK) dhe z. Pavel Shust (IFC). Me këtë rast, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku falënderoi organizatorët dhe bashkëpanelistët për diskutimin, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut për të siguruar një sistem financiar të sigurt dhe të përqendruar te qytetari.