Trajnohen rreth treqind zyrtarë publikë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe Shoqëria Civile

Në kuadër të një bashkëpunimi shumë të frytshëm midis Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar ‘GIZ”,  janë trajtuar rreth treqind zyrtarë nga sektori publik dhe ai privat.

Trajnimi ishte i ndarë në dy module: zbatimi në praktikë i ligjit për qasje në dokumente publike dhe zbatimi në praktikë i ligjit për mbrojtjen e  të dhënave personale.

Të angazhuar nga Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për të zhvilluar këto module trajnimesh ishin caktuar zyrtarët e Agjencisë  të cilët i kanë përcjellur të gjitha njohuritë e nevojshme ndjekësve të këtij trajnimi rreth obligimeve dhe përgjegjësive të zyrtarëve publikë në zbatim të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, rëndësinë e publikimit me vetiniciativë të dokumenteve publike,rastet e kufizimeve për qasje në dokumente publike,afatet e përcaktuara në ligj, obligimin e institucioneve për raportim etj. Edhe për sa i përket zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë njoftuar pjesëmarrësit me kriteret për përpunim të ligjshëm të të dhënave personale nga kontrolluesit dhe përpunuesit publik dhe privat, parimet e përpunimit të të dhënave, kriteret dhe masat e sigurisë, kompetencat dhe detyrat e Agjencisë si institucion mbikëqyrës, kriteret që duhet të plotësohen për transferimin ndërkombëtar të të dhënave personale, të drejtat e subjektit , kufizimet dhe përjashtimet për qasje në të dhëna personale, kriteret e përpunimit përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, përpunimin e të dhënave biometrike, etj.

Specifikë e këtij cikli trajnimesh ishte angazhimi i përfaqësuesve nga shoqëria civile, në cilësinë e bashktrajnuesve, ku shpalosën këndvështrimin e tyre për sa i përket qasjes në dokumente publike nga perspektiva e palëve kërkuese,gjithashtu edhe këndvështrimin e tyre në raport me përpunimin e të dhënave personale, çështje të privatësisë në fushën mediatike, përgjegjësit e medieve në raport me privatësinë, kompetencat e mekanizmave që mbikëqyrin funksionimin e mediave dhe rolin e tyre, si dhe trajtimin e disa rasteve në praktik se si mediat ju kanë qasur të drejtës për privatësi dhe informimit të publikut.

Ndjekësit e këtyre trajnimeve njëditore, në fund të seancave të trajnimit janë pajisur me certifikata përkatëse për pjesëmarrje në trajnim.

https://www.vudols.com