Paneli i Diskutimit: Privatësia dhe Siguria Kibernetike – Sfidat dhe Mundësitë për Startup-et

Me ftesë të STIKK (Shoqata e TIK-ut në Kosovë), Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, mori pjesë në panelin e diskutimit “Privatësia dhe Siguria Kibernetike: Sfidat dhe Mundësitë për Startup-et”, krahas Arian Sheremetit, themelues i Bitsecura, dhe Lirim Bllacës, Drejtor i Operacioneve në Institutin për Teknologji dhe Shoqëri, nën moderimin e Atdhe Lila.
Në fjalën hyrëse, Drejtoresha e STIKK, znj. Vjollca Çavolli, theksoi rëndësinë e privatësisë për bizneset, shoqërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke nënvizuar nevojën e bashkëpunimit të koordinuar për të garantuar një mjedis të sigurt digjital.
Komisionerja Sogojeva Dërmaku potencoi se startup-et duhet të sigurojnë përputhshmëri me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në fazat fillestare të zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve digjitale, duke integruar parimet e Privacy by Design dhe Privacy by Default.
Arian Sheremeti theksoi se privatësia është e pashmangshme dhe startup-et duhet ta konsiderojnë si një avantazh konkurrues, jo vetëm një detyrim ligjor. Ndërsa Lirim Bllaca foli mbi rëndësinë e ISO standardeve në garantimin e sigurisë së të dhënave si faktor kyç për rritjen e besueshmërisë tek klientët.
Komisionerja përmbylli diskutimet duke ritheksuar se Agjencia është e gatshme të mbështesë çdo iniciativë për forcimin e sigurisë së të dhënave në këtë fushë.
https://www.vudols.com