Nën organizimin e Ambasades Amerikane, specifikisht me zyrën e zhvillimit, asistencës dhe trajnimit të prokurorisë jashtë shtetit, sot u mbajt punëtoria për përmisimin e qasjes në dokumentet publike. Pjesë e panelit diskutues ishin Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, dhe Këshilltari ligjor i përhershëm i Ambasadës Amerikane, z. Michael Grant.
Në anën tjetër pjesëmarrës në këtë punëtori ishin përfaqësues të prokurorive dhe gjykatave, si dhe të shoqërisë civile. Andaj, pjesë e rëndësishme e këtij diskutimi ishin sfidat e shoqërisë civile në qasjen e dokumenteve publike, por edhe sfidat e institucioneve për ofrimin e qasjes dhe mungesës së rregullativës së brendshme për klasifikimin e dokumenteve. Me këtë rast, Komisionerja njoftoi pjesëmarrësit me punën dhe organizimin e AIP-së, si dhe obligimet që dalin për institucionet në fjalë nga Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, duke theksuar edhe vet qëllimin e Agjencisë, i cili është monitorimi i këtij Ligji.
Këshilltari ligjor i përhershëm, z. Michael Grant, falenderoi Komisioneren për sqarimet e ofruara si dhe theksoi se punëtori të tilla janë shumë të nevojshme për të rritur bashkëpunimin e institucioneve me shoqërinë civile, respektivisht me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.