Mitrovicë, 08 maj 2023
Në bashkëpunim me Platformën ‘Civikos’, Agjencia për Informim dhe Privatësi, sot zhvilloi punimet e një tryeze diskutimi me zyrtarë komunale dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare lokale, të cilat veprojnë në Regjionin e Mitrovicës.
Për t’u ligjëruar rreth kësaj teme nga të dyja fushat që mbulon kjo agjenci, si dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të të pranishëmve lidhur me temën e diskutimit, ishte ftuar z. Jeton Arifi, Drejtor i Departamentit për Qasje në Dokumente Publike në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Përveç ofrimit të informacioneve lidhur me kornizën ligjore dhe fushëveprimtarinë e këtij autoriteti, në saje të karakterit ndërveprues, të pranishmit patën rastin të marrin përgjigje të drejtpërdrejta nga përfaqësuesi i Agjencisë lidhur me të drejtën e qytetarëve për t’u ankuar, qoftë në rastet kur pretendojnë se privatësia e tyre është shkelur, qoftë kur u pamundësohet qasja në dokumentet që prodhohen apo ruhen nga cilido institucion publik.
Punimet e kësaj tryeze, e cila është e dyta me radhë e këtij karakteri në saje të bashkëpunimit me ‘Civikos’, u vlerësuan shumë të dobishme nga të pranishmit. Bashkëpunimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi me Platformën ‘Civikos’ do të sjellë edhe një seri tryezash të ngjashme nëpër regjionet tjera të Kosovës gjatë muajve vijues.