Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacione, Agjencia për Informim dhe Privatësi, në mënyrë simbolike hapi Javën e Qasje në Dokumente Publike me moton “Bashkë ta forcojmë transparencën”

Në bashkëpunim me U.S. Embassy Pristina, Kosovo, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) me një agjendë të reduktuar, hapi Javën e aktiviteteve për të promovuar të drejtën e qasjes në dokumente publike me prezencën e përfaqësuesve nga shoqëria civile, gazetarëve, dhe përfaqësues të projekteve që mbështesin punën e Agjencisë.
Dita e parë e Javës për Qasje në Dokumente Publike me porosinë “Bashkë ta forcojmë transparencën” nisi me një minutë heshtje për policin e vrarë, Afrim Bunjaku.
Për rëndësinë e qasjes në dokumente publike dhe zbatimin e ligjit në praktikë foli Komsionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, e cila ndër të tjerash theksoi se qasja në dokumente publike është obligim ligjor i institucioneve publike për të plotësuar kërkesën e llogaridhënies dhe transparencës që njëherit janë parime themelore të demokracisë.
Këshilltari Ligjor nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, John Hanley, gjithashtu theksoi se qasja në dokumente publike është thelbësore për një shoqëri të hapur dhe demokratike, gjithnjë duke respektuar edhe parimet për mbrojtjen e të dhënave personale. Ndër tjerash, ai vlerësoi lartë punën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në promovimin e së drejtës për qasje në dokumente publike.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë, Lumnije Demi prezantoi të dhënat statistikore lidhur me numrin, profilin e ankesave dhe institucionet ndaj të cilave janë paraqitur ankesat për realizimin e së drejtës për qasje në dokumente publike gjatë periudhës trevjeçare, respektivisht nga shtator 2021 deri më shtator 2023.
Aktivitetet e Javës për Qasje në Dokumente Publike “Bashkë ta forcojmë transparencën” do të vazhdojnë përgjatë katër ditëve me përfaqësues të institucioneve publike të nivelit qendror, lokal dhe institucioneve të pavarura, përfaqësues të mediave dhe organizatave Jo-Qeveritare me qëllim të promovimit të së drejtës për qasje në informata si dhe diskutimit të përbashkët për tejkalimin e vështirësive në realizmin e kësaj të drejte.
https://www.vudols.com