Me qëllim të ndërgjegjësimit të ndërmarrjeve publike dhe qendrore rreth zbatimit të Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale, Komisionerja, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, dhe Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë znj. Lumnije Demi kanë realizuar takim me përfaqësues të KRU “Hidromorava” SH.A – Gjilan, përkatësisht me Kryeshefin Ekzekutiv z. Ymer Salihu, Kryesuesen e Bordit, znj. Filloreta Gashi Sadiku dhe Sekretaren e Kompanisë, znj. Ajsun Sadiku.
Takimi u përqëndrua në diskutime për nevojën e rregullimit të procesit të faturimit, përkatësisht zarfimin e faturave që duhet të jetë në përputhshmëri me parimet e mbrojtjes së të dhënave personale. Gjithashtu, me theks të veçant u diskutua edhe për caktimin dhe trajnimin e zyrtarit për mbrojtje të të dhënave personale, që është obligim i përcaktuar në legjislacionin përkatës.
Komisionerja e Agjencisë shprehu gatishmërinë për ofrimin e mbështetjes profesionale të AIP-së për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës.