Agjencia për Informim dhe Privatësi, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila shënohet me 28 janar, ka realizuar takimin me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ku pjesëmarrës ishin Kryetarja e Bordit, znj. Teuta Ukshini Aliu, Kryeshefi Ekzekutiv z. Arsim Fetahu, Sekretari i Kompanisë z. Avni Kastrati dhe Zyrtarja për Mbrojtje të të Dhënave Personale znj. Fexhrije Berisha.
Aplikimi i praktikave më të mira të faturimit në përputhje me obligimet ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimi i politikave të privatësisë, ishin temë kryesore e diskutimit në takim. Komisionerja, znj. Krenare Sogojeva Dermaku shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, duke garantuar mbështetjen e Agjencisë në krijimin e standardeve profesionale për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë ofrimit të shërbimeve nga kompania për qytetarët.
Me qëllim të informimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit për mbrojtjen e të dhënave personale, në javën e mbrojtjes së të dhënave personale, Agjencia do të realizojë aktivitete informuese edhe me institucionet publike, organizatat Jo-Qeveritare dhe donatorët.