Editorial për Ditën Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacione

TASH MË LEHTË – QASJA NË INFOMACIONE

Shkruan: Krenare Sogojeva Dërmaku

Realizimi i së drejtës për qasje në informacione –  siguri për qytetarët, vlerë për shtetin dhe demokracinë.

Funksionalizimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, shënon edhe fillimin e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, që ndërlidhë obligimin e institucioneve publike për të qenë të hapur ndaj publikut, në njërën anë, dhe garanton të drejtën e qytetarëve për të pasur qasje në informacione, në anën tjetër.

Pavarësisht përceptimeve të deri tanishme brenda institucioneve publike që procedurat e ofrimit të qasjes në dokumente publike mund të mbingarkojnë administratën e tyre, jetësimi i kësaj të drejte të qytetarëve dëshmon përkushtimin e shtetit për të respektuar, mes tjerash, edhe të drejtën e qytetarëve për të ditur më shumë rreth dhe për t’u ndjerë pjesë e veprimtarisë së çdo institucioni publik. Për më tepër, është detyrimi i institucioneve publike që  çdo dokument publik të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar, në formë elektronike, ta publikojnë në faqen zyrtare të tyre, pavarësisht kërkesës së personit për qasje.

Për të siguruar qasje më të lehtë në informacione, tashmë për herë të parë në Kosovë, është mandatuar Komisionerja për Informim dhe Privatësi, si organ i pavarur në kuadër të Agjencisë  e që funksionon në cilësinë e autoritetit të apelimit për qytetarët, atëherë kur kjo e drejtë mohohet nga institucionet publike.

Ushtrimi i autorizime ligjore të Agjencisë si autoritet i apelimit për qytetarët bëhet përmes përdorimit të mekanizmave detyrues, respektivisht shqiptimit të gjobave dhe duke mbikëqyrë efektivisht institucionet publike në zbatimin e normativës ligjore për qasje në dokumente publike. Përkundër, barrierave ekzistuese, të cilat, mes tjerash, lidhen edhe me mungesë të burimeve njerëzore, ashtu edhe atyre buxhetore, Agjencia, për një kohë të shkurtë, ka arritur të hartojë aktet e para të nevojshme nënligjore për funksionalizimin e saj, e ka përshtatur organizimin e brendshëm të saj për të funksionuar e pavarur dhe efektive dhe po vazhdon investimin e saj në rrjetin e dy niveleve të zyrtarëve të institucioneve publike për të rritur transparencën.

Për ta sensibilizuar opinionin publik për jetësimin e mënyrës më të lehtë të së drejtës së tyre për qasje në informacione publike, e njëkohësisht për të ngritur ndërgjegjësimin e institucioneve publike të mos mohuar këtë të drejtë kushtetuese dhe ligjore, Agjencia për Informim dhe Privatësi për herë të parë do të shënoj Ditën Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informacione, me datë 28 Shator, e shpallur si e tillë me Rezolutën e UNESCO-s në vitin 2015, e për të vazhduar traditën çdo vjet, ashtu siç veprojnë të gjitha vendet e botës demokratike.

Qytetarët e Kosovës gjatë tërë javës (28 Shtator – 1 Tetor) do të kenë mundësinë të informohen më hollësisht se çfarë të drejtash u garanton Ligji për Qasje në Dokumente Publike, në veçanti mënyrën e paraqitjes së ankesës në rastet e qasjes së mohuar. Këto informacione, ata do të mund t’i marrin përmes mediumeve, të cilat do t’i ndjekin aktivitetet e Agjencisë dhe organizatave joqeveritare nëpër sheshet e kryeqytetit dhe gjashtë qyteteve më të mëdha të vendit apo edhe drejtpërdrejt, duke u bërë pjesë e anketimeve që do të zhvillohen në këto hapësira publike lidhur me këtë temë.

Fuqizimi i së drejtës në informacione është tregues i funksionimit të demokracisë në një vend. Objektiv thelbësor i imi, si Komisionere, mbetet garantimi i jetësimit të së drejtës për të pasur qasje në dokumente publike. Prandaj, tash më lehtë qasja në informacione, tash më lehtë realizimi i të drejtës për të ditur. Për ta realizuar këtë, qytetarët e Kosovës kanë një derë tjetër, të re, të hapur.

(Autorja është Komsionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi)