Kosova Shënon Ditën Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informacione

Përmes organizimit të një tryeze diskutimesh me pjesëmarrës nga institucione që garantojnë të drejtat e qytetarëve, komunitetit të gazetarisë dhe shoqërisë civile, Agjencia për Informim dhe Privatësi filloi aktivitetin njëjavor të Javës së Informimit të titulluar ‘Tash më Lehtë’.

Në saje të punimeve të kësaj tryeze, të organizuar nga Komisionerja znj. Krenare Sogojeva Dermaku, për të vlerësuar rëndësinë e instalimit të kësaj tradite të fuqizimit të lirisë së informimit në vend, fjalë rasti adresoi z. Enver Dugolli nga Komisioni Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, si dhe z. Naim Qelaj, Avokat i Popullit.

Fokus i veçantë gjatë kësaj tryeze iu kushtua temave rreth lirisë së informimit nën mbikëqyrjen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pastaj teknologjisë në shërbim të lirisë së informimit, sfidave të jetësimit të të drejtës për qasje në dokumente publike, për të vazhduar me përparësitë dhe të metat e ligjit aktual që rregullon këtë fushë dhe në fund rasteve specifike të qasjes së mohuar nga institucionet publike.

Pjesa e fundit e kësaj tryeze ishte e rezervuar për diskutime lidhur me temat e prezentuara nga panelistët, në kuadër të së cilës u ngritën shqetësime dhe preokupime të gazetarëve lidhur me jetësimin e të drejtës për t’u qasur në dokumente publike pranë institucioneve publike.

Vlenë të theksohet se aktivitetet e karakterit promovues e informues të AIP-së me qytetarë, paralelisht u zhvilluan edhe në sheshin e kryeqytetit, të cilat do të vazhdojnë edhe për tri ditë të tjera në gjashtë regjionet tjera të Kosovës.