Njoftim – Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë Gjobitet për Përpunim të Kundërligjshëm të të Dhënave Personale

Prishtinë, mars 2022

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), më datë 27.01.2022, ka pranuar informacion se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) në faqen e saj zyrtare ka të publikuar, lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave (fermerëve), pa marrë pëlqimin e tyre, duke përfshirë emrin, mbiemrin, numrin personal, vendbanimi etj.

 

Pas përfundimit të procedurave verifikues/inspektuese, Agjencia ka konstatuar se AZHB me publikimin e këtyre të dhënave ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të LMDHP-së dhe me këtë ka kryer kundërvajtje nga neni 92, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

 

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes publikimit të listave të fermerëve përfitues në faqen zyrtare të saj, lista këto që përmbajnë të dhëna personale, ku përveç emrit dhe mbiemrit, vendbanimit, etj, ka publikuar edhe numri personal. E njëjta, me këtë veprim ka cenuar privatësinë e subjektit të të dhënave, për arsye se ka ekspozuar/zbuluar një të dhënë unike të personit fizik në rrjet (internet), në të cilën kanë qasje numër i pakufizuar i vizitorëve.

Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka paraparë që çdo kontrollues, përpunues i të dhënave personale, përpunimin e të dhënave ta bëjë në mënyrë të ligjshme, në të kundërtën Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bazë të kompetencave ligjore është e detyruar të ndërmarrë veprimet dhe masat e duhura deri te shqiptimi i gjobës për mosrespektim të dispozitave të parapara në ligj.

Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, me vendimin Nr. 15/22, të datës 28.02.2022, ka shqiptuar dënim kundërvajtës me gjobë ndaj Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale.

Për sqarim të opinionit, në çdo rast kur AIP gjene se një kontrollues apo përpunues i të dhënave, ka publikuar të dhënat e subjekteve pa bazë ligjore, shqipton gjobë, edhe nëse ato të dhëna janë larguar apo fshirë pas konstatimit të shkeljes.

https://www.vudols.com