Me qëllim të ndërgjegjësimit të institucioneve publike rreth mbrojtjes së të dhënave personale, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku dhe Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë, znj. Lumnije Demi zhvilluan një takim me përfaqësuesit e ARRU, përkatësisht, znj. Hajrije Morina Drejtore të ARRU, z. Abedin Azizi Zv.Drejtor i ARRU, z. Bexhet Bala Drejtorin e Departamentit për Çështje Ligjore dhe Licencim, dhe z. Ramiz Krasniqi Drejtorin e Dep. për Administratë dhe Financa.
Takimi u përqendrua në diskutimin për mbrojtjen e dhënave personale të qytetarëve gjatë procesit të shpërndarjes së faturave nga kompanitë rajonale të Ujësjellësit si dhe hartimin e Politikave të Privatësisë të bazuara në kriteret ligjore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Në takimin me udhëheqësit e ARRU Komisionerja gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e caktimit dhe trajnimit të Zyrtarit për Mbrojtje të të Dhënave Personale nga institucionet që përpunojnë të dhëna personale dhe që masat e sigurisë për mbrojtjen e të dhënave personale të jenë proporcionale dhe të mos dëmtojnë qytetarët.