07 shkurt 2022, Prishtinë
Agjencia për Informim dhe Privatësi
Më datë 07 shkurt 2022, Gazeta Elektronike ‘Paparaci’ ka publikuar një shkrim me titull ‘Raiffeisen Bank i Çon në Ukrainë të Dhënat Personale të Kosovarëve’, brenda të cilit, mes tjerash, ka përmendur Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Me qëllim të informimit të saktë të publikut, Agjencia sqaron që Banka Raiffeisen Kosovë ka bërë kërkesë për autorizim në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit Nr.06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Sipas procedurave të shqyrtimit të kërkesës për autorizim, Agjencia i ka kërkuar Bankës Raiffeisen në Kosovë, në cilësinë e kontrolluesit të të dhënave personale, që të ofrojë të gjitha dëshmitë për plotësimin e kritereve për transferimin ndërkombëtar të atyre të dhënave.
Pavarësisht që shteti pranues, në këtë rast, Ukraina, nuk gjendet në mesin e shteteve që ofrojnë mbrojtje adekuate të të dhënave personale, për të cilat, normalisht, nuk do të kishte nevojë për një autorizim të posaçëm, me rastin e plotësimit të të gjitha kritereve ligjore, Agjencia i ka lëshuar Bankës Raiffeisen autorizimin përkatës për klientët të cilët japin pëlqimin paraprak për një transferim të tillë, duke përmbushur në këtë mënyrë kushtin sipas nenit 49, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 të Ligjit Nr.06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Përmes këtij njoftimi, Agjencia sqaron publikun se ky lloj i transferimit ndërkombëtar të të dhënave personale të klientëve të Bankës Raiffeisen në Kosovë, që kanë dhënë pëlqimin, është në përputhje të plotë me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si i tillë nuk përbën shqetësim për privatësinë e tyre.