PËRMBLEDHJE E AKTIVITETEVE TË AGJENCISË PËR INFORMIM DHE PRIVATËSI PËR VITIN 2022

PËRMBLEDHJE E AKTIVITETEVE TË AGJENCISË PËR INFORMIM DHE PRIVATËSI PËR VITIN 2022

Agjencia për Informim dhe Privatësi, në kuadër të mandatit të saj ligjor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr.06/L-81 për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit Nr.06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe në përmbushje të objektivave të parapara në Planin e Performancës për vitin 2022, ka realizuar këto aktivitete:

 

Qasja në Dokumente Publike – Në kuadër të zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, AIP ka pranuar 421 ankesa, 331 prej të cilave janë mbyllur dhe 90 të tjera janë në proces të shqyrtimit, brenda afateve të përcaktuara ligjore. Ankesat janë parashtruar nga këto kategori:

  • 207 janë adresuar nga qytetarët
  • 76 nga mediat;
  • 138 nga OJQ-të

 

Mbrojtja e të Dhënave Personale – Mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, është fokusuar në inspektimet e rregullta të Kontrolluesit (institucioneve) publike dhe private, shqyrtimin pranimin e ankesave, marrjen nxjerrjen e vendimeve dhe këshillë-dhënien. në ushtrimin e mandatit dhe kompetencave ligjore.

 

Numri i ankesave të pranuara në AIP gjatë vitit 2022 është 145, nga të cilat, 40 ankesa kanë të bëjnë me marketingun e drejtpërdrejtë, 22 me publikimin e të dhënave, 33 vëzhgim me kamerë, 50 keqpërdorim i të dhënave personale.

Nga këto ankesa, 108 janë të mbyllura dhe 37 ankesa në shqyrtim, brenda afateve ligjore.

 

Numri i vendimeve të nxjerra nga Janari 2022, është gjithsejtë 172 vendime, nga të cilat janë shqiptuar 8 (tetë) gjoba kundërvajtëse me shumë totale 169,000.00 euro. Katër nga këto gjoba janë shqiptuar ndaj kontrolluesve publik dhe katër ndaj kontrolluesve privat.

 

Numri i përgjithshëm i inspektimeve të realizuara gjatë këtij viti është 213, nga të cilat janë nxjerrë vendime dhe raporte të inspektimit. Gjithashtu, AIP ka ofruar 30 këshilla ligjore me kërkesë të kontrolluesve publik dhe privat.

 

Agjencia gjatë vitit 2022 ka nxjerrë 5 (pesë) vendime për lejimin e transferimit ndërkombëtar të të dhënave personale, sipas kërkesës së kontrolluesve.

Agjencia ka inspektuar komunat e Kosovës për sa i përket përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në hapësirat publike. Për dy raste (Komuna) të inspektuara është njoftuar për veprime të mëtejme Prokurori i Shtetit  për arsyeje se nuk është konstatuar (identifikuar) kontrolluesi që ka vendosur dhe bënë mbikëqyrjen përmes këtyre sistemeve dhe të njëjtat përbejnë vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës. Ndërsa, për ato komuna në të cilat është konstatuar se mbikëqyrja e sistemit të vëzhgimit me kamerë bëhet nga organet komunale, AIP ka nxjerrë vendime urdhëruese për ndalimin e përpunimit dhe kanë obliguar Komunat që vëzhgimin me kamerë në hapësirat publike t’ia bartin Policisë së Kosovës si autoritet i mandatuar me ligj.

 

Plani Legjislativ – Gjatë vitit 2022 AIP ka miratuar 6 (gjashtë) Rregullore, 1 (një) Udhëzim Administrativ dhe 5 (pesë) udhëzues praktik për zbatimin e ligjeve.

 

Fushatat ndërgjegjësuese kanë qenë të orientuara në trajnimin e zyrtarëve për qasje në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale në nivel qendror dhe lokal, organizimin dhe pjesëmarrjen në konferenca dhe tryeza me karakter informues, takime me institucionet publike rreth bashkëpunimit dhe këshillëdhënies. Poashtu, AIP ka mbajtur trajnime për gjyqtarë, prokurorë, si dhe zyrtarë të mbrojtjes së të dhënave në sektorin privat. Mbajtjen e ligjëratave ndërgjegjësuese në Universitetet Publike në vend, shpërndarja e broshurave informuese në gjuhët zyrtare në Kosovë, në gjithë territorin e vendit, paraqitjet publike dhe pjesëmarrje në debatet televizive  rreth mbrojtjes së të dhënave personale dhe së drejtës së informimit.

 

Në kuadër të bashkëpunimit regjional dhe ndërkombëtar është nënshkruar marrëveshja me Republikën e Shqipërisë, mbi bazën e së cilës janë realizuar tri aktivitete bilaterale për shqyrtimin e rasteve specifike dhe komplekse, si dhe janë iniciuar procedurat për marrëveshje bilaterale me Kroacinë dhe Italinë. Për herë të parë është mbajtur Konferenca regjionale e Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Prishtinë, me qëllim të bashkëpunimit dhe ndarjes së përvojave më të mira në zbatim të Rregullativës së Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kosova është përfaqësuar për herë të parë si paneliste në Asamblenë Globale të Privatësisë, në Stamboll të Turqisë, që ka trajtuar zbatimin efektiv të kornizës ligjore për mbrojtjen e të dhënave në botën digjitale. Në cilësinë e anëtares me të drejta të plota, AIP është prezantuar edhe në Iniciativën Regjionale të Komisionerëve të Informimit, që kishte për synim bashkëpunimin për ndërmarrjen e masave konkrete si regjion në publikimin proaktiv të dokumenteve publike, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies nga ana e institucioneve publike. Pjesëmarrëse në cilësinë e vëzhguesit në Konferencën Pranverore të Komisionerëve të Mbrojtje së të Dhënave, me qëllim të lobimit për të parashtruar kërkesën për anëtarësim në këtë mekanizëm ndërkombëtar. Në dhjetor të vitit 2022, Agjencia është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit dhe formalizimi i këtij anëtarësimi do të bëhet në Qershor të vitit 2023.

 

Raportet vlerësuese për Kosovën – Agjencia, rëndësi të veçantë i ka kushtuar përmbushjes së rekomandimeve të dala nga raportet vlerësuese për vendin. Raporti i vendit për vitin 2021, i publikuar në vitin 2022, ka paraqitur pasqyrë të saktë të aktiviteteve dhe veprimeve të AIP-së për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, ndërsa raporti i organizatave ndërkombëtare të lirisë së mediave dhe gazetarëve për Kosovën i publikuar më 16 Nëntor 2022, pas një hulumtimi të bërë në këtë fund vit, ka vlerësuar besimin e lartë që kanë palët e interesit (gazetarët, OJQ-të) në punën e AIP në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për qasje në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

 

 

Statistikat e Ankesave për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Shkarko dokumentin (PDF)

 

Statistikat e Ankesave për Qasje në Dokumente Publike

Shkarko dokumentin (PDF)

 

https://www.vudols.com