Përgjegjësia e AIP-së në sigurimin e informatave për Fondin e Sigurisë së Kosovës

Agjencia për Informim dhe Privatësi( AIP) ka pranuar kërkesën e adresuar për de-klasifikimin e informacioneve për të realizuar qasjen në informata për shumën e mjeteve financiare të mbledhura në Fondin e Sigurisë së Kosovës.
Në kuadër të realizimit të përgjegjësive dhe mandatit të saj ligjor, bashkëpunimit ndër-institucional dhe bashkëpunimit me Organizatat Jo -Qeveritare, si partnerë të rëndësishëm të Agjencisë në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies, Agjencia për Informim dhe Privatësi është në komunikimin me institucionin përgjegjës në lidhje me trajtimin e kërkesës së adresuar.
Bazuar në kompetencat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, Agjencia nuk ka kompetencë të bëjë de-klasifikimin e informatave të klasifikuara nga institucionet publike, por mund të bëjë vetëm inicimin e procedurës për de-klasifikim, ashtu siç është përcaktuar me nenin 28 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, i cili shprehimisht parasheh se “Agjencia është gjithashtu kompetent që të inicioj procedurën për de klasifikimin e dokumenteve të klasifikuara.”
Agjencia për Informim dhe Privatësi mbetet e përkushtuar për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në Institucionet e Kosovës, përkatësisht realizimin e së drejtës për qasje në informacion dhe mbrojten e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
https://www.vudols.com