Prishtinë, 08 prill 2022,
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka vazhduar inspektimin sipas detyrës zyrtare te kontrolluesit (16 biznese), lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë.
Gjatë procesit të inspektimit, inspektorët e AIP-së, kanë konstatuar se shumica e kontrolluesve kanë aplikuar vëzhgimin me kamera në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke mos plotësuar kriteret e parapara me ligj. Me këtë rast AIP, ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamerë dhe ka urdhëruar shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes këtij sistemi, deri në datën e pranimit të vendimit.
AIP, përmes procesit të inspektimit dhe veprimeve të ndërmarra ndaj kontrolluesve për plotësimin e kritereve ligjore për përpunimin e të dhënave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, mbron privatësinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është në shërbim të qytetarëve për të realizuar të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
AIP, do të vazhdoj me inspektime dhe kontrolle për të mbikëqyrur ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.