Komisionerja për Informim dhe Privatësi takoi kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës

Prishtinë, 13 gusht 2021

Komisionerja për Informim dhe Privatësi znj. Krenare Sogojeva Dermaku të premten priti në  takim kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) z. Xhemajl Rexha.

Duke falënderuar z. Rexha për vizitën, Komisionerja theksoi se, Agjencia për Informim dhe Privatësi si institucion përgjegjës për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit të  Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, vlerëson të pashmangshëm  rëndësinë e bashkëpunimit me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua për punën e gazetarëve, sfidat dhe vështirësitë që ky komunitet përballet, qoftë edhe gjatë sigurimit të një dokumenti të thjeshtë nga institucionet publike apo publikimeve të informatave ose fotove të ndjeshme pa aprovimin adekuat nga personat e ekspozuar.

Në anën tjetër, Komisionerja njoftoi z. Rexha, se sa i përket kësaj çështje, Agjencia veç se ka filluar ‘’Fushatën ndërgjegjësuese me Ministritë’’, duke i njoftuar institucionet publike rreth obligimeve të përgjithshme që dalin nga Ligji për Qasje në Dokumente Publike, kategorinë e dokumenteve publike që duhet të jetë e hapur për ta dhe publikun e gjerë, me qasje proaktive nga vet institucionet. Duke vlerësuar informimin publik si jashtëzakonisht të rëndësishëm, Komisionerja theksoi rëndësinë dhe njëkohësisht ndjeshmërinë që ka publikimi i të dhënave personale dhe i privatësisë së qytetarëve, gjatë informimit; gjithmonë duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Për informim të drejtë të qytetarëve e njëkohësisht respektim të të drejtave dhe lirive të tyre për privatësi, znj. Sogojeva dhe z. Rexha, u pajtuan që në vazhdimësi të kenë bashkëpunime dhe përkrahje të ndërsjellët.