Me ftesë nga GLPS, Komisionerja, znj. Krenare Sogojeva Dermaku, në përfaqësim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, mori pjesë në panelin hyrës të konferencës: “Nga Transparenca te Besimi: Zgjidhjet për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Nivel Institucional”.
Në diskutimin e saj, Komisionerja theksoi rëndësinë e garantimit të drejtës për qasje në dokumente publike, duke potencuar se transparenca dhe llogaridhënia janë komponentë kyç në parandalimin e korrupsionit, të cilat u ofrojnë qytetarëve mundësinë për të qenë pjesë aktive në qeverisjen lokale. Kjo rrjedhimisht rezulton në vendimmarrje më të mirë, rrit komunikimin e qytetarëve dhe shoqërisë civile me organet publike, e në veçanti vë në pah integritetin institucional.
Në fund, Komisionerja bëri thirrje për nxitjen e bashkëpunimit mes qeverisjes lokale, qytetarëve dhe shoqërisë civile me qëllim të ngritjes së llogaridhënies institucionale dhe sigurimit se të drejtat e qytetarëve po realizohen në mënyrë efektive dhe transparente.