Java e Qasjes në Dokumente Publike vazhdoi sot me Konferencë me Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës, Nënkryetarë dhe përfaqësues tjerë komunal

26/09/2023
Konferenca e mbajtur sot në mbështetje të OSCE Mission in Kosovo, kishte për qëllim ndërgjegjësimin e autoriteteve komunale për rëndësinë e publikimit proaktiv të dokumenteve publike, sfidave dhe mundësive për përmbushjen e obligimeve ligjore të dala nga Ligji për Qasje në Dokumente Publike.
Punimet e konferencës i hapi Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, e cila theksoi se publikimi me vetiniciativë i dokumenteve publike i ofron qytetarëve të jenë pjesë aktive e qeverisjes lokale, e që rrjedhimisht rezulton në vendimmarrje më të mirë, rrit komunikimin mes organeve publike dhe qytetarëve, e në veçanti vë në pah integritetin institucional.
Ne anën tjetër, një fjalë rasti u mbajt edhe nga Ambasadori i OSCE Mission in Kosovo, z. Michael Davenport, i cili potencoi se qasja në dokumente publike si e drejtë themelore që ngrit transparencën, gjithashtu fuqizon proceset demokratike, veprim ky që parashihet edhe me mandatin e OSCE Mission in Kosovo. Ai gjithashtu përgëzoi Agjencinë dhe Komisioneren për organizimin e kësaj Jave të Aktiviteteve dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe institucioneve për të drejtën e qasjes në dokumente publike.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë, Lumnije Demi, prezanoti raportin statistikor të ankesave për qasje në dokumente publike ndaj Komunave në krahasim me ankesat ndaj institucioneve tjera, i cili nxiti një debat konstruktiv nga pjesëmarrësit.
Konferenca u mbyll më Komisioneren duke ju bërë thirrje Komunave të përmbushin obligimet e tyre ligjore për qasjen proaktive dhe njëkohësisht të trajnojnë zyrtarët përgjegës për qasje në dokumente publike, në mënyrë që ata të shërbejnë si këshilltarë për zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike në tërësi.

Pas përfundimit të konferencës, vazhdoi takimi me ekspertët nga Ambasada e Amerikës, përkatësisht z. Sean O’Neill dhe z. Bobak Talebian. Gjatë këtij takimi stafi i Agjencisë patën mundësi të marrin njohuri të vlefshme mbi praktikat më të mira në lidhje me aspektet krahasuese të informimit publik në respektimin e privatësisë, dhe për balancimin e lirisë së informimit dhe interesit të mbrojtur, përkatësisht qasjes ndaj dokumenteve të klasifikuara.

https://www.vudols.com