Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku, mbajti dy takime të veçanta me Kryetarin e Komuna e Vitisë – Sokol Haliti dhe Kryetarin e Komuna Kacanik – Besim Ilazi, me qëllim të informimit rreth parimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike.
Komisionerja diskutoi për Programin e Transparencës, i cili ka për qëllim lehtësimin e publikimit proaktiv të dokumenteve publike të Komunës, në njërën anë dhe në anën tjetër ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Ndër tjerash, ajo theksoi edhe rëndësinë e anonimizimit të të dhënave personale gjatë publikimit të dokumenteve publike.
Me theks të veçantë, u diskutua edhe për hartimin e Politikave të Privatësisë dhe hartimin e rregullores së brendshme për sigurinë e përpunimit të të dhënave personale nga Komuna. Komisionerja bëri thirrje për forcimin e pozitës së zyrtarëve përgjegjës për qasje në dokumente publike dhe mbrojtje të të dhënave personale, të cilët garantojnë zbatimin e plotë të këtyre dy të drejtave, veçanërisht gjatë procesit të digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët.