Agjencia për Informim dhe Privatësi shënon Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, “T’i mbrojmë të dhënat personale sot, për një të nesërme të sigurt”

Gjatë konferencës së sotme për lansimin e platformës së parë në Kosovë për identifikimin e rrjedhjes së të dhënave personale, në fjalën hyrëse Komsionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, njoftoi se me përkushtim dhe seriozitet të lartë, Agjencia ka fituar statusin e anëtares vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), Autoritetin më të lartë evropian për standardet e mbrojtjes së të dhënave. “Ky avancim na mundëson qasje të drejtpërdrejtë në politikat dhe standardet më të avancuara evropiane, duke ndikuar në profesionalizmin tonë, rritjen e besimit dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare,” tha Komisionerja Dërmaku.
Në të arriturat e Agjencisë, Komisionerja theksoi përpjekjet shumëdimensionale të Agjencisë për ndërgjegjësimin e kontrolluesve publik dhe privat për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale, që përfshijnë, organizimin e mbi 200 aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese, nxjerrjen e 311 vendimeve dhe realizimin e 324 inspektimeve në sektorin publik dhe privat si dhe publikimin e 6 udhëzuesve për mbrojtjen e të dhënave personale.
Zëvendës Shefi i Misionit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Rahan Hill, nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale si një komponent thelbësor të sigurisë kibernetike. “Krimet kibernetike nuk njohin kufij gjeografikë, ndërsa përbëjnë një kërcënim global. Për këtë arsye, Ambasada Amerikane, përmes Departamentit të Drejtësisë (INL), ka mbështetur Agjencinë në implementimin e një mekanizmi që identifikon rrjedhjet e të dhënave dhe siguron mbrojtjen e informacionit publik,” tha ai.
Ndërkohë, Zëvendësambasadori i Kroacisë në Kosovë, z. Nedjelko Spilek, vlerësoi bashkëpunimin dypalësh mes Kosovës dhe Kroacisë, duke përmendur rëndësinë e promovimit të standardeve evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale. “Kroacia është e përkushtuar të ndajë përvojën dhe njohuritë më Kosovën, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe duke avancuar zbatimin e standardeve më të larta evropiane për mbrojtjen e privatësisë,” u shpreh z. Spilek.
Drejtori i Departamentit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në AIP, z. Arbian Arifi, prezantoi obligimet ligjore të institucioneve publike dhe private, duke theksuar rolin e zyrtarëve për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale për zbatimin e ligjit, karshi zhvillimeve teknologjike.
Në vijim, z. Erblind Morina nga Sense Cyber Research prezantoi platformën për sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale përmes identifikimit të rrjedhjes së të dhënave nga kontrolluesit publik e privat. “Kjo platformë do të përmirësojë ndjeshëm zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe do të funksionojë si një mekanizëm parandalues ndaj keqpërdorimeve të mundshme të të dhënave,” u shpreh z. Morina.
Ngjarja shënoi një moment të rëndësishëm për të theksuar rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe inovacionit teknologjik në Kosovë në forcimin e mbrojtjes së të dhënave personale, duke i kontribuar një të ardhmeje më të sigurt për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.
https://www.vudols.com