Agjencia për Informim dhe Privatësi ndalon përpunimin e të dhënave personale dhe urdhëron shkatërrimin e tyre në ndërtesa kolektive të grumbulluara jashtëligjshëm përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), mbi bazën e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që nga funksionalizimi i saj, në mesin e më shumë se pesëdhjetë (50) ankesave të shqyrtuara për mbrojtjen e të dhënave, ka vendosur edhe mbi ankesat lidhur me përpunimin e të dhënave personale në ndërtesat kolektive, përmes instalimit të sistemit të vëzhgimit me kamerë.

AIP, në të gjitha rastet ka zhvilluar inspektime dhe në bazë të gjendjes faktike, ka ndërmarrë veprimet për ndalimin e përpunimit të të dhënave personale deri në përmbushjen e kritereve ligjore, si dhe ka urdhëruar shkatërrimin e të dhënave personale të grumbulluara përmes vëzhgimit me kamerë.

AIP, gjatë inspektimit të këtyre rasteve ka konstatuar se qëllimi i vetëm i vendosjes së vëzhgimit me kamerë në ndërtesa kolektive, ka qenë siguria e njerëzve dhe pronës. Gjithsesi, Agjencia, mbi bazën e provave të mbledhura gjatë inspektimeve, ka gjetur se kontrolluesit nuk kanë plotësuar të gjitha kriteret ligjore, të parapara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për të vendosur sistemin e vëzhgimit me kamerë.

AIP, në rastet kur vëren shkeljet e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënat Personale ka të drejtë të urdhëroj eliminimin e parregullsive, të ndalojë përkohësisht dhe në mënyrë të caktuar përpunimin e të dhënave personale dhe të këshilloj me shkrim kontrolluesin ose përpunuesin e  të dhënave në rastet e shkeljeve të vogla dhe si masë e fundit të shqiptoj gjobë, në rastet e publikimit të këtyre të dhënave, apo kur kemi përsëritje të shkeljeve të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në çdo rast kur të dhënat personale të marra përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë publikohen dhe ndahen me palët e treta, pa bazë ligjore, përveç organeve të rendit dhe sigurisë (Policisë), të cilët kanë bazën ligjore për përpunim të mëtutjeshëm për qëllime të hetimit,  AIP ndërmerr veprime sanksionuese ndaj kontrolluesve apo përpunuesve të të dhënave personale, të cilët publikojnë sekuencat e marra nga vëzhgimit me kamerë.

 

 

https://www.vudols.com