Prishtinë, 13 shtator 2021
Me mbështetjen e Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar ‘GIZ’, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka filluar ciklin e ri të trajnimeve për zyrtarët e institucioneve publike dhe ata të sektorit privat.
Trajnimet njëditore, të cilat kanë filluar gjatë javës së tretë të gushtit, janë të përqendruara në dy module: Zbatimi në Praktikë i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Zbatimi në Praktikë i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ky cikël trajnimesh do të përfshijë rreth 300 zyrtarë në të dy modulet. Për të ndarë informacione, përvoja dhe ekspertizë me ndjekësit e këtyre trajnimeve, Agjencia, e mbështetur financiarisht nga ‘GIZ’ gjerman, në cilësinë e trajnuesve, ka angazhuar ekspertë të brendshëm dhe njohës të të dyja fushave nga shoqëria civile.
Projekti trajnues ka filluar më 23 gusht dhe pritet të mbarojë deri në fund të muajit shtator.
Ndjekësit e trajnimit njëditor marrin certifikatë përkatëse për modulin e ndjekur, e cila dëshmon nivel të kënaqshëm njohurish të fushës së qasjes në dokumente publike apo të mbrojtjes së të dhënave personale.
Organizimi i seancave të trajnimit njëditor është duke u bërë në përputhje me masat e sigurisë së Qeverisë për t’u mbrojtur nga përhapja e mundshme e Virusit SARS-CoV-2.