Prishtinë, 21 mars 2022,
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermaku, priti sot në takim Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit z. Yll Buleshkaj, për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit në mes të AIP-së dhe AKK-së, në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Komisionerja njoftoi Drejtorin e AKK-së, për veprimet dhe vendimet e AIP-së gjatë monitorimit të zbatimit të Ligjit për Qasje Dokumente Publike dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ndërsa theksoi se bashkëpunimi ndër-institucional është i domosdoshëm për të respektuar në përpikëri kornizën ligjore që lidhet me llogaridhënien dhe transparencën dhe në mënyrë paralele duke garantuar mbrojtjen e të dhënave personale.
Në anën tjetër, z. Buleshkaj, tha se prioritet në realizimin të fushëveprimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit në parandalim dhe luftim të korrupsionit është transparenca dhe llogaridhënia e institucionit, në veçanti bashkëpunimi me mediat dhe organizatat Jo-qeveritare, gjithnjë brenda kornizave ligjore, duke ruajtur dhe trajtuar me kujdes konfidencialitetin e rasteve dhe informatave që janë të garantuara e ligj.
Në takimin mes dy udhëheqësve të institucioneve të pavarura u diskutua edhe për procesin e deklarimit të pasurisë dhe Drejtori i AKK-së, z.Yll Buleshkaj tha se në raport të zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, me rastin e publikimit të regjistrave të deklarimit të pasurisë për afro 5000 zyrtarë të lartë publik, AKK do të veproj me përpikëri maksimale që të mbrohen të dhënat personale të subjekteve deklaruese gjatë publikimit të deklarimit të pasurisë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin në fuqi.
Dy udhëheqësit e institucioneve u dakorduan për bashkëpunim të ndërsjellë në zbatimin e ligjeve që bien në përgjegjësinë e zbatimit dhe monitorimit të të dyja institucioneve të pavarura.