Udhëheqësit e institucioneve theksojnë se mbrojtja e të dhënave personale do të jetë ndër prioritetet kryesore të institucioneve përgjegjëse
Takimi i Grupit Punues Ndërinstitucional: Respektimi i privatësisë në komunikimin publik
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), Policia e Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), si dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), realizuan sot takimin e katërt me radhë për të shqyrtuar veprimet e ndërmarra ndërinstitucionale për mbrojtjen e të dhënave personale në komunikimin publik, në kuadër të zotimeve të përcaktuara me Marrëveshjen e arritur në korrik të vitit të kaluar.
Mekanizmat dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet për mbrojtjen e privatësisë dhe parandalimin e publikimit të informatave të paautorizuara ishin në fokus të diskutimeve të Grupit Punues Ndërinstitucional. Në takim u diskutua për veprimet konkrete të ndërmarra me qëllim të sigurimit të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, përballë publikimeve të paautorizuara dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Veprimet e ndërmarra nga institucionet dhe rezultatet e arritura:
🔸Trajnimi i mbi 100 gjyqtarëve, prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë për mbrojtjen e të dhënave personale; 🔸Mbi 30 takime të realizuara me pronarë dhe udhëheqës të mediave; 🔸Përgatitja e akteve nënligjore për mbrojtjen e të dhënave personale nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës; 🔸Vlerësimi i publikimit të informatave që përmbajnë të dhëna personale të qytetarëve, si dhe identifikimi i masave parandaluese që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse.
Veprimet e ndërmarra nga institucionet reflektojnë angazhimin e përbashkët ndërinstitucional për të garantuar respektimin e së drejtës për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave personale, duke u bazuar në standardet demokratike të lirisë së medias dhe informimit publik, ruajtjen e integritetit të proceseve hetimore dhe gjyqësore, si dhe promovimin e gazetarisë profesionale në diskursin publik.
Udhëheqësit e institucioneve theksojnë se mbrojtja e të dhënave personale do të jetë ndër prioritetet kryesore të veprimeve të institucioneve përgjegjëse dhe se të gjitha institucionet janë duke i përmbushur detyrat sipas memorandumit të nënshkruar.
Agjencia për Informim dhe Privatësi falënderon Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) për bashkëpunimin në arritjen e qëllimit të përbashkët për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

English
Srpski