Më 21 korrik 2024, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku mori pjesë në Shkollën Verore mbi Keqinformimin në Sistemin e Drejtësisë, e cila u organizua nga BIRN Kosova me mbështetje të Justice Activity/USAID. Kjo iniciativë synon të luftojë dezinformimin dhe keqinformimin rreth sistemit të drejtësisë, duke edukuar publikun mbi ndikimet e informacionit të rremë dhe rëndësinë e raportimit të saktë.
Gjatë panelit me temë “Siguria e të Dhënave Personale dhe Publikimi i Informacionit”, Komisionerja Sogojeva Dërmaku diskutoi mbi rëndësinë e sigurimit të qasjes në dokumente publike, duke theksuar se realizimi i kësaj të drejte promovon një shoqëri të hapur dhe të mirë-informuar.
Në veçanti, Komisionerja diskutoi për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë punës së gazetarëve, me ç ‘rast ajo theksoi se gazetaria ka rol thelbësor në informimin e publikut, por njëkohësisht gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e privatësisë së individëve për të siguruar balancimin mes transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Komisionerja Sogojeva Dërmaku u bëri thirrje pjesëmarrësve për një angazhim të përbashkët drejt forcimit të transparencës dhe llogaridhënies dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Në këtë rast, pjesëmarrësit vunë në pah nevojën për trajnime të vazhdueshme me qëllim të aplikimit të standardeve më të larta të raportimit etik sipas Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.