Komisionerja, znj. Krenare Sogojeva Dermaku, duke përfaqësuar Agjencinë për Informim dhe Privatësi, ka vazhduar ciklin e punëtorive në kuadër të promovimit të zbatimit të Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale, kësaj radhe me përfaqësues të çerdheve publike dhe private të regjionit të Prishtinës.
Gjatë takimit, Komisionerja theksoi rëndësinë e përpunimit të ligjshëm të të dhënave të fëmijëve dhe prezantoi aplikimin e masave të sigurisë për ruajtjen e këtyre të dhënave. Në veçanti, ajo prezantoi mënyrat e vëzhgimit me kamera dhe fotografimit të fëmijeve, për të siguruar përputhshmëri me legjislacionin në fuqi.
Pjesëmarrësit shtruan pyetje të shumta dhe shfaqën interesin e tyre për mënyrat efikase të përpunimit dhe ruajtjes së të dhënave të ndjeshme, siç janë të dhënat e fëmijëve, me qëllim të përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe garantimit të një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët.