Nën organizimin e Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të ishullit Jersey (JOIC), Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, së bashku me stafin e AIP-së, morën pjesë në edicionin e 46-të të Asamblesë Globale të Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA), e mbajtur nga data 28 tetor deri më 1 nëntor

Asambleja Globale e Privatësisë mbledh mbi 160 përfaqësues të autoriteteve anëtare dhe vëzhguese, përfshirë akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, sektorit privat, grupeve të interesit dhe ekspertëve në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo platformë synon të forcojë efektivitetin e kornizave ekzistuese ligjore dhe të nxisë përshtatshmërinë e tyre me zhvillimet teknologjike, duke promovuar një kulturë të përgjegjshmërisë dhe transparencës në trajtimin e të dhënave personale. Gjithashtu, konferenca mbështet zhvillimin e aftësive për vetë-menaxhimin e të dhënave nga individët.
Në këtë edicion, u trajtuan tema të rëndësishme, të cilat përfshijnë:
• Vlerësimi i ndikimit të dëmeve në privatësi në kontekstin modern,
• Mbrojtja e të dhënave personale dhe shëndeti mendor,
• Roli i teknologjisë në funksionimin e autoriteteve rregullatore dhe sfidat e transferimit të të dhënave,
• Shkëmbimi i të dhënave ndërmjet qeverisë dhe palëve të treta,
• Të drejtat e subjekteve të të dhënave dhe transferimi ndërkombëtar i të dhënave personale,
• Ndërlidhja e sistemeve të dosjeve.
Gjatë konferencës, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku, realizoi takime të veçanta me përfaqësues të autoriteteve ndërkombëtare, duke shkëmbyer përvojat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Këto takime shërbyen si mundësi për rrjetëzim dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me synim përafrimin e standardeve më të larta ndërkombëtare në Kosovë. Asambleja gjithashtu ofroi një forum për diskutim të hapur, shkëmbim të ideve dhe përvojave, si dhe për identifikimin e zgjidhjeve për sfidat e përhershme dhe të ardhshme në mbrojtjen e privatësisë në epokën digjitale.
https://www.vudols.com