Në vazhdën e aktiviteteve të Javës së Qasjes në Dokumente Publike, Agjencia për Informim dhe Privatësi, me mbështetje të OSCE Mission in Kosovo, sot mbajti Konferencën me Sekretarë të Përgjithshëm të institucioneve qendrore dhe Agjencive të Pavarura, me media dhe përfaqësues të OJQ-ve

Me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies institucionale për zbatimin e detyrimeve ligjore të institucioneve, siç parashihen me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.
Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, nisi Konferencën duke theksuar se publikimi proaktiv i dokumente publike përveç që ofron qasje të lehtë në informacione për qytetarët, ndihmon edhe në zhvillimin institucional demokratik dhe rrit besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë, Lumnije Demi prezantoi raportin krahasimor të ankesave për Qasje në Dokumente Publik ndaj institucioneve, përkatësisht Zyrës së Kryeministrit, Ministrive dhe të Agjencive të Pavarura për periudhën shtator 2021-2022 dhe shtator 2022-2023.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, diskutoi rreth sfidave dhe mundësive të APK-së në realizimin e së drejtës për qasje në dokumente publike dhe potencoi se transparenca dhe llogaridhënia është njëra ndër komponentët kryesore për parandalimin e korrupsionit që ndihmon edhe në sigurimin më të lehtë të informatave për publikun.
Zyra e Kryeministrit u përfaqësua nga Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Krasniqi, i cili potencoi se Qeveria e Kosovës me anë të veprimeve që po i ndërmerr drejt transformimit digjital ka për synim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe përmirësimin e qasjes në dokumente publike dhe shërbimeve tjera për qytetarët.
Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, diskutoi rreth realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike dhe rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike. Ndër tjerash, ai theksoi se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vendosur standard të lartë për sa i përket planifikimit të buxhetit dhe shpenzimit të parasë publike.
Fjalë rasti mbajti Meghan McCormack, Udhëheqësja e Divizionit të Qeverisjes nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, e cila theksoi se statistikat krahasimore gjatë periudhës shtator 2021-2023 treguan një rritje te ankesave, duke sugjeruar se kjo rritje shërben si një tregues pozitiv i përpjekjeve të suksesshme të Komisioneres dhe Agjencisë në rritjen e ndërgjegjësimit tek qytetarët për realizimin e të drejtës së tyre për qasje ne dokumente publike.
Kryeredaktori i Portalit Telegraf, Muhamet Hajrullahu, diskutoi rreth sfidave të gazetarëve në realizimin e qasjes në dokumente publike, duke theksuar se mediat janë vetëm transmetues të veprimeve të institucioneve tek qytetarët. Si një ndër sfidat kryesore ai përmendi heshtjen e institucioneve për kërkesat për qasje në dokumente publike, e cila ndikon në humbjen e besimit të qytetareve kundrejt institucioneve.
Hulumtuesja Ligjore e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Eranda Zekaj, pas paraqitjes së raportit për kërkesat e qytetarëve dhe grupeve tjera të interesit për qasje në dokumente publike, vlerësoi punën e Komisioneres për krijimin e precedentëve pozitiv dhe rritjen e nivelit te transparencës dhe llogaridhënies në bazë të veprimeve të cilat i ka ndërmarrë Agjencia.
Komisionerja përfundoi punimet e kësaj konference duke ju bërë thirrje të gjithë krerëve institucional të jenë më të hapur ndaj publikut, në mënyrë që ta forcojmë transparencën dhe llogaridhënien. Gjithashtu, ajo theksoi obligimin ligjor të institucioneve për caktimin e Zyrtarit për Qasje në Dokumente Publike, i cili do të shërbente si mekanizëm efikas për përshpejtimin e procesimit të kërkesave për qasje në dokumente publike.
https://www.vudols.com