Tryeza e organizuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) përfshiu tre panele diskutimi. Në panelin e parë, me temën “Roli i medias gjatë zgjedhjeve të vitit 2025”, mori pjesë Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku. Paneli, i moderuar nga z. Bashkim Vishaj, përfshiu panelist tjerë si:
• z. Jeton Mehmeti, Kryetari i KPM-së,
• znj. Pascale Roussy, Drejtore e Departamentit të Demokratizimit në OSBE,
• z. Kreshnik Radoniqi, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Gjatë diskutimeve, Komisionerja Sogojeva Dërmaku theksoi rëndësinë e respektimit të parimeve ligjore dhe standardeve që lidhen me të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike gjatë fushatave zgjedhore, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rolin aktiv të mediave gjatë sigurimit të një procesi zgjedhor transparent ndaj qytetarëve dhe raportim llogaridhënës.
Qëllimi i këtij diskutimi ishte rishikimi dhe prezantimi i Draft-Rregullores për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore, duke u mundësuar palëve të interesuara dhe publikut të japin kontributet e tyre.