Forcimi i Transparencës në Prokurimin Publik

 

Më qëllim të forcimit të transparencës në prokurim publik, përkatësisht zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike që lidhen me procese tenderuese, në harmoni me Ligjin për Prokurimin Publik, Agjencia për Informim dhe Privatësi në bashkëpunim me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, me mbështetje të projektit USAID Kosovo Municipal Integrity kanë organizuar konferencën me temën “Forcimi i transparencës në prokurimin publik”.
Për rëndësinë e transparencës në prokurim publik, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dermaku theksoi se transparenca në prokurimin publik paraqet një ndër shtyllat kryesore të avancimit të llogaridhënies së institucioneve dhe se kërkesat për qasje në dokumente publike duhet të trajtohen në harmoni të plotë me rregullativën ligjore të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Prokurim Publik.
Kryesuesi i Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik / PPRC, z. Osman Vishaj tha se KRPP do të ofrojë të gjitha informacionet dhe do të ndërmarrë veprime që kërkesat për qasje në dokumente publike për procese të prokurimit të trajtohen në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi duke theksuar rëndësinë e udhëzuesve që do e forconin transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve.
Drejtoresha e Projektit “Integriteti i Komunave të Kosovës” të USAID Kosovo, znj. Maia Gogoladze gjithashtu theksoi nevojën për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në prokurim publik si dhe rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional.
Për rolin e institucioneve të pavarura në fushën e prokurimit publik folën edhe znj. Vjosa Gradinaj Mexhuani, Kryesuese e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), z. Yll Buleshkaj, Drejtor i Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, z. Bezad Halilaj, Zëvendës Auditor në Zyra Kombëtare e Auditimit/National Audit Office dhe znj. Neime Binaku Isufi, Kryetare e Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Përfaqësuesit e institucioneve diskutuan për sfidat e zbatimit të qasjes në informata dhe rritjen e llogaridhënies në proceset e tenderimit gjatë zbatimit të kërkesave për qasje në dokumente publike, si një nga mekanzimat e parandalimit të korrupsionit, sigurimit të konkurrencës në mbikëqyrjen e proceseve tenderuese dhe rritjen e mekanizmave të auditimit që lidhen me procesin e llogaridhënies dhe tranprencës gjatë procedurave të prokurimit publik.
Komisionerja e AIP-së, znj. Krenare Sogojeva Dermaku kërkoi nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që, bazuar në fushëveprimtarinë ligjore të institucionit, të ndërmarrë veprime për të ngritur cilësinë e transparencës së institucioneve në procedurat e prokurimit publik dhe të ofrohet qasja në informata sipas kërkesave dhe detyrimeve ligjore.
Përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrës në këtë tryezë u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin në harmonizimin e legjislacionit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Prokurimin Publik.
https://www.vudols.com