Dita e tretë e Javës së Qasjes në Dokumente Publike sot vazhdoi me Punëtorinë “Ngritja e Transparencës në Sistemin Prokurorial përmes Qasjes në Dokumente Publike”

27/09/2023
Me mbështetje të U.S. Embassy Kosovo, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka mbledhur në këtë Punëtori, Kryeprokurorë, Prokurorë dhe përfaqësues të të gjitha Institucioneve të Sistemit Prokurorial në Kosovë, për të diskutuar dhe njëherit promovuar të drejtën për qasje në dokumente publike, si një shtyllë e fortë e llogaridhënies dhe transparencës, në njërën anë dhe në anën tjetër për shkëmbimit e praktikave më të mira dhe standardeve ndërkombëtare.
Konferenca u hap me Komisioneren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku e cila potencoi se publikimi me vetiniciativë i dokumenteve publike, për aq sa lejon korniza ligjore e fushëveprimtarisë së Sistemit Prokurorial, ndikon në rritjen e performancës dhe vetëzhvillimin e prokurorëve, e që rrjedhimisht rrit edhe përgjegjësinë publike të tyre.
John Hanley, Këshilltar Ligjor i Ambasadës Amerikane theksoi se transparenca e institucioneve është thelbësore për shoqërinë demokratike, sepse ju mundëson qytetarëve qasjen në informata si dhe ndihmon institucionet në rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhëniës për proceset vendimmarrëse.
Për rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike Ushtruesi i Detyrës si Kryeprokurorë i Shtetit, Besim Kelmendi theksoi se transparenca dhe llogaridhënia, përveç se janë obligim ligjor gjithashtu reflektojnë edhe integritetin për të paraqitur punën e institucioneve në mënyrë sa me dinjitoze.
Zëvendës Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Veton Shabani gjithashtu theksoi se zbatimi i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike ka rëndësi të veçantë për institucionet dhe se në kuadër të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies, Këshilli Prokurorial i Kosovës është në fazën e draftimit të Rregullores për Qasje në Dokumente Publike
Dy ekspertët e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, Sean O’Neill dhe Bobak Talebian prezantuan perspektivat e SHBA-së për rregullat e Sistemit Prokurorial për Qasje në Dokumente Publike, theksuan rëndësinë e mbajtjes së regjistrave, si dhe praktikat më të mira për qasje ndaj kërkesave komplekse për qasje në dokumente publike.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë, Lumnije Demi, prezantoi statistikat trevjeçare të periudhës Shtator 2021- Shtator 2023 për ankesa ndaj Sistemit Prokurorial për Qasje në Dokumente Publike, përfshirë këtu profilin e palës ankuese, numrin, kategorinë dhe natyrën e ankesave.
Gjatë punëtorisë pjesëmarrësit u përfshinë në një diskutim konstruktiv, ku ata patën mundësi ti paraqesin sfidat dhe mundësitë e tyre drejt realizimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike në tërësi. Komisionerja, duke uruar që kjo punëtori të ketë shërbyer si udhërrëfyes për të ngritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike në zbatimin e detyrimeve ligjore, përmbylli punimet e punëtorisë.
https://www.vudols.com