Agjencia për Informim dhe Privatësi thellon bashkëpunimin me partnerë të institucioneve evropiane për avancimin e transformimit digjital në Kosovë

Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, mirëpriti në një vizitë zyrtare Komisionerin Kroat për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, njëherit Zëvendëskryesuesin e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), z. Zdravko Vukić, si dhe z. Giovanni Maria Riccio, Profesor i të Drejtës së Privatësisë dhe Teknologjisë në Universitetin e Salernos, Itali 🇭🇷🇮🇹.
Në kuadër të kësaj vizite, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku mbajti fjalën hyrëse në konferencën “Navigating the Digital Transformation of the Financial Sector – Opportunities and Challenges in the Age of AI”, të organizuar nga ProCredit Bank, me c’rast ajo prezantoi veprimet e Agjencisë drejt rregullimit të IA, ndërsa theksoi rëndësinë e balancimit mes inovacionit teknologjik dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të qytetarëve.
💬 Gjatë konferencës, Komisioneri Vukić zhvilloi një bashkëbisedim me znj. Kaltrina Haxha Ferizi, COO në ProCredit Bank Kosovë, ku vlerësoi lart punën e Agjencisë dhe progresin institucional të Kosovës drejt përputhjes me kornizën evropiane për mbrojtjen e të dhënave, duke ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme për bashkëpunim të ndërsjellë.
Ndërkohë, Prof. Giovanni Maria Riccio mori pjesë në një panel tematik mbi sfidat dhe mundësitë e transformimit digjital në sektorin financiar. 📚 Si ekspert ndërkombëtar për të drejtën e privatësisë dhe teknologjisë, ai ndau perspektivën akademike mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në të drejtat themelore të individit në një epokë të automatizuar të proceseve financiare.
Në vazhdën e aktiviteteve, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku dhe Komisioneri Vukić realizuan një vizitë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku u pritën nga Dekani, z. Avni Puka dhe përfaqësues të stafit akademik. Gjatë takimit u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit akademik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, me qëllim të ndërgjegjësimit të qëndrueshëm të studentëve për mbrojtjen e të dhënave personale🎓🔐.
🌐 Kjo vizitë e mbështetësve dhe ekspertëve ndërkombëtarë përforcoi partneritetin ndërmjet Agjencisë dhe institucioneve evropiane në drejtim të avancimit të transformimit digjital dhe ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe të drejtë, mbi bazat e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
https://www.vudols.com