Agjencia për Informim dhe Privatësi pjesëmarrëse në Samitin Global të Privatësisë 2026 në Washington, D.C., SHBA 🇽🇰🇺🇸
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, së bashku me përfaqësuesit e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), z. Kushtrim Mustafa dhe z. Arbian Arifi, nga 29 mars deri më 2 prill, kanë marrë pjesë në edicionin e 26-të të Samitit Global të Privatësisë, që po mbahet në Washington, D.C., SHBA, nën organizimin e Shoqatës Ndërkombëtare të Profesionistëve të Privatësisë – IAPP.
Në kuadër të këtij samiti, është organizuar DPA Day (Dita e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave), ku Agjencia ka marrë pjesë në mesin e 42 përfaqësuesve nga 22 autoritete ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave. Gjatë këtij forumi u zhvilluan takime dhe diskutime me përfaqësues të institucioneve kyçe amerikane, përfshirë zyrtarë federal të inteligjencës kombëtare, përfaqësues të Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Privatësisë së Kalifornisë, ku u diskutua mbi qasjen aktuale legjislative të SHBA-së ndaj privatësisë së konsumatorit, me fokus në prioritetet e politikave të privatësisë.
🔍 Temat kryesore të këtij edicioni përfshijnë: • Qeverisjen e inteligjencës artificiale dhe zbatimin e kornizave të reja rregullatore • Privatësinë në epokën e AI gjeneruese dhe sfidat e përpunimit të të dhënave • Ndërlidhjen ndërmjet mbrojtjes së të dhënave dhe sigurisë kibernetike • Rritjen e kërkesave për transparencë, llogaridhënie dhe menaxhim të rrezikut • Bashkëpunimin ndërkombëtar në një mjedis digjital gjithnjë e më kompleks
Pjesëmarrja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në këtë samit ka kontribuar në forcimin e bashkëpunimit me autoritete homologe dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të avancuara.

English
Srpski