Agjencia për Informim dhe Privatësi pjesëmarrëse në Konferencën e 34-të Pranverore Evropiane të Autoriteteve për Mbrojtjen e të Dhënave dhe…

📍 Agjencia për Informim dhe Privatësi pjesëmarrëse në Konferencën e 34-të Pranverore Evropiane të Autoriteteve për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Privatësinë në Antalya, Turqi

Në kuadër të Konferencës Pranverore 2026, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, moderoi Panelin 3 me temë: “Transferet ndërkufitare të të dhënave: standardet, garancitë dhe mekanizmat e pajtueshmërisë”.

💡 Gjatë këtij paneli, përfaqësues dhe ekspertë nga Komisioni Evropian, Autoriteti Rregullativ i Gjibraltarit dhe komuniteti akademik ndërkombëtar diskutuan mbi zhvillimet më të fundit që ndërlidhen me transferet ndërkombëtare të të dhënave personale, duke vënë theks të veçantë në nevojën për interoperabilitet rregullativ, forcimin e mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, si dhe garantimin e standardeve të qëndrueshme të mbrojtjes së të dhënave në një mjedis gjithnjë e më kompleks digjital.

Njëkohësisht, Udhëheqësja e Divizionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, znj. Liridona Zeqiri Krasniqi, mori pjesë si paneliste në sesionin “E ardhmja e autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave”, ku prezantoi perspektivën institucionale të Agjencisë lidhur me sfidat e reja digjitale, avancimin e mekanizmave mbikëqyrës, si dhe rëndësinë e përafrimit të vazhdueshëm me standardet evropiane të privatësisë dhe qeverisjes digjitale.

✍️ Në vazhdën e aktiviteteve të konferencës, u realizua edhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe Autoritetit Rregullativ të Gjibraltarit (GRA), i nënshkruar nga Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, dhe z. Bradley Tosso, Drejtor për të Drejtat e Informimit dhe Operacionet në GRA.

Përmes këtij Memorandumi krijohet një kornizë konkrete bashkëpunimi ndërmjet dy autoriteteve, e cila synon thellimin e shkëmbimit të praktikave më të mira, zhvillimin profesional dhe forcimin e bashkëpunimit në adresimin e sfidave të reja rregullative, përfshirë privatësinë e fëmijëve, inteligjencën artificiale dhe mekanizmat inovativë të rregullimit.

🤝 Në kuadër të Konferencës Pranverore 2026, Presidenti i Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Turqisë, z. Faruk Bilir, mirëpriti në një takim të veçantë Komisioneren Sogojeva Dërmaku. Gjatë diskutimeve, palët trajtuan mundësitë për avancimin e shkëmbimit të ekspertizës profesionale, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e mekanizmave modernë të mbikëqyrjes, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe koordinimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse në adresimin e sfidave të reja digjitale dhe garantimin e standardeve të larta të privatësisë.

Postimi origjinal në Facebook