📌Agjencia për Informim dhe Privatësi përzgjedhet organizatore e Takimit Vjetor të WG AID për vitin 2027
Agjencia për Informim dhe Privatësi është përzgjedhur nga autoritetet anëtare të Global Privacy Assembly për të organizuar Takimin Vjetor të Grupit Punues mbi Rolin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Ndihmën Ndërkombëtare dhe Menaxhimin e Krizave (WG AID) në vitin 2027 në Kosovë.
Vendimi u mor gjatë takimit të fundit të këtij grupi punues, të mbajtur në Luksemburg, nën organizimin e Autoritetit Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave të Luksemburgut (CNPD), i kryesuar nga Komisioneri Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Informacionit (FDPIC) i Zvicrës.
WG AID është një mekanizëm i specializuar në kuadër të Global Privacy Assembly që adreson mbrojtjen e të dhënave personale në kontekste humanitare dhe të menaxhimit të krizave, duke bashkuar autoritetet përkatëse për zhvillimin e standardeve dhe praktikave të përbashkëta në këtë fushë.
Në këtë takim, Agjencia u përfaqësua nga znj. Liridona Zeqiri Krasniqi, Udhëheqëse për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e cila kontribuoi në diskutime mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, zhvillimin e mekanizmave praktikë për shkëmbim të sigurt të të dhënave dhe adresimin e sfidave të reja në operacionet humanitare.
Përzgjedhja e Kosovës si vend nikoqir për vitin 2027 reflekton besimin e partnerëve ndërkombëtarë në rolin aktiv të Agjencisë në arenën globale, si dhe konfirmon angazhimin e saj për të kontribuar në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare të privatësisë.

English
Srpski