Agjencia për Informim dhe Privatësi ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët të cilët kanë pranuar marketing të drejtpërdrejtë (SMS apo thirrje telefonike) nga bizneset e ndryshme me qëllim të promovimit të produkteve dhe ofrimit të shërbimeve të tyre.
Në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e bizneseve mbi rëndësinë e respektimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, është thelbësore që çdo aktivitet i marketingut të drejtpërdrejtë të përputhet me kriteret ligjore. Ashtu siç është marketingu pjesë e rëndësishme e suksesit të bizneseve, respektimi i kritereve ligjore gjithashtu ndikon në suksesin dhe reputacionin e bizneseve.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bën thirrje bizneseve se në rast të aplikimit të marketingut përmes thirrjeve telefonike apo dërgimin e SMS-ve te qytetarët, të sigurohen se ky veprim të jetë në harmoni me ligjin, duke aplikuar veprimet si në vijim:
Të marrin pëlqimin paraprak: Pëlqimi duhet të jetë i qartë, i informuar dhe i dhënë në mënyrë të lirë nga qytetarët për përpunimin e të dhënave të tyre personale për qëllime marketingu. Ky pëlqim duhet të merret para fillimit të aplikimit të marketingut.
T’i japin të drejtën për tërheqje: Qytetarët (konsumatorët) duhet të kenë të drejtën për të tërhequr pëlqimin e tyre në çdo kohë, dhe kjo duhet të jetë një procedurë e lehtë për t’u ndjekur dhe pa shpenzime.
Të marrin të dhënat minimale: Përpunimi i të dhënave personale duhet të kufizohet vetëm në të dhënat personale që janë të domosdoshme për qëllimin e përcaktuar të marketingut.
T’i njoftojnë në mënyrë të qartë: Qytetarët (konsumatorët) duhet të informohen në mënyrë të qartë për identitetin e kontrolluesit (biznesit) të të dhënave dhe qëllimin për të cilin do të përdoren të dhënat e tyre personale.
Zbatimi i këtyre masave do të ndihmojë jo vetëm në respektimin e ligjit, por edhe në ndërtimin e besimit dhe transparencës së bizneseve me qytetarët. Mosrespektimi i këtyre kërkesave mund të rezultojë në gjoba të mëdha dhe dëmtim të reputacionit të biznesit.
Për të qenë në harmoni me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi në bashkëpunim me OSBE-në, ka përgatitur Udhëzuesin për Përpunimin e të Dhënave Personale për Qëllim të Marketingut të Drejtpërdrejtë, të cilin e gjeni në linkun e mëposhtëm: