Agjencia për Informim dhe Privatësi fillon aktivitetet e Javës së Qasjes në Dokumente Publike

Agjencia ju bën thirrje institucioneve që të ngritin llogaridhënien dhe transparencën me publikimin proaktiv të dokumentet publike
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka filluar aktivitetet informuese me organizmin e tryezës së diskutimit me përfaqësues të Institucioneve të Pavarura të Kosovës me qëllim të promovimit të së drejtës për qasjes në dokumente publike, me theks të veçantë publikimin proaktiv të dokumenteve publike.
Në hapjen e punimeve të Javës për Qasje në Dokumente Publike, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermaku theksoi se llogaridhënia dhe transparenca e institucioneve publike është njëra ndër shtyllat e demokracisë dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi vazhdon të mbetet e përkushtuar që të drejtën e qasjes në informata, përveç trajtimit të ankesave të adresuara në Agjenci, ta orientoj në një nivel më të avancuar drejt publikimit me vetiniciativë të informatave dhe dokumenteve publike.
Komisionerja Sogojeva Dermaku tha se në kuadër të ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies, Agjencia ka iniciuar Programin e Transparencës, i cili ka për qëllim nxitjen e publikimit të dokumenteve nga ana e institucioneve publike dhe publikimin e informatave në mënyrë poraktive dhe me vetiniciativë që do të ndikonte direkt në shmangien e kërkesave burokratike për qasje në dokumente publike, duke theksuar se diskutimet me institucionet publike nuk janë formalitet i rastit por një domosdoshmëri për realizimin e një të drejtë që është e garantuar me Ligj, Kushtetutë dhe e mbrojtur me konventa ndërkombëtare.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e zbatimit të detyrimeve ligjore nga institucionet publike që të bëjnë testin e dëmit, i cili vlerëson dëmin që do t’i shkaktohej interesit të mbrojtur kundrejt interesit publik për publikim, para marrjes së vendimit për refuzim të publikimit të dokumenteve publike me vetiniciativë, si dhe para marrjes së vendimit për refuzimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.
Për rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në takim folën, Albina Shabani Rama- Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Visar Krasniqi – Anëtarë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Elza Bajrami- Zëvendës Kryeprokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Yll Buleshkaj- Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit , Kushtrim Hodaj – Kryeshef Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Nazim Rrahimi – Kryetar i Bordit të ARKEP, Neime Binaku Isufi – Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, Osman Vishaj – Kryetar i Bordit të KRPP, Lyra Osmani – Zyra e Inspektoratit të Përgjithshëm, Sami Hajrullahu nga Shërbimi Sprovues, Burim Dinarama, Ushtruesi i Detyrës – Autoriteti i Aviacionit Civil dhe përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Në ditën e parë të Javës për Qasje në Dokumente Publike u prezantuan statistikat dhe raportet krahasimore të ankesave të pranuara në AIP për qasje në dokumente publike për vitin 2023 dhe 2024 ku u theksua se në periudhën janar – gusht 2024, numri i ankesave ka shënuar rritje dhe se në diferencën prej dy vjetëve nga numri total i ankesave nga 552 sa ishin të evidentuara në vitin 2023, në periudhën janar – gusht 2024 janë regjistruar gjithsejtë 500 ankesa, që pasqyrojnë kërkesa për qasje në dokumente publike të natyrave të ndryshme, financiare, administrative, procese te prokurimit publik dhe dokumente të tjera që prodhojnë, mbajnë dhe ruajnë institucionet publike.
Aktivitetet e Javës për Qasjes në Dokumente Publike, do të vazhdojnë me datë 26 dhe 27 shtator me tryezat e diskutimit me Ministritë, Agjencitë Rregullatore dhe Komunat. Në të gjitha organizimet do të marrin pjesë përfaqësues nga Organizata Jo Qeveritare, Donatorët dhe Mediat. Java e Qasjes në Dokumente publike është e orientuar në aktivitete me qëllim të promovimit të së drejtës për qasje në dokumente publike me theks të veçantë në publikimin proaktiv të dokumenteve publike, si një mekanizëm thelbësor për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

https://www.vudols.com