Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, po merr pjesë në takimin plenar të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), i cili po zhvillohet nga 2 deri 3 dhjetor në Bruksel, si rezultat i pranimit të Kosovës si anëtare vëzhguese në aktivitetet e EDPB-së në tetor të këtij viti.
EDPB është organi kryesor i Bashkimit Evropian për mbikëqyrjen dhe koordinimin e zbatimit të standardeve më të larta të mbrojtjes së të dhënave personale. Në këtë takim, agjenda përfshin çështje si: udhëzime për zbatimin e GDPR, standardet e certifikimit, transferimet ndërkombëtare të të dhënave personale dhe mbrojtjen e fëmijëve në epokën dixhitale.
Anëtarësimi i Agjencisë si vëzhguese në EDPB mundëson forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së të dhënave, harmonizimin e legjislacionit vendor me standardet evropiane, si dhe krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit me autoritetet homologe në Bashkimin Evropian. Andaj, pjesëmarrja e Komisioneres Sogojeva Dërmaku në këtë takim shërben për të avancuar kornizën ligjore dhe institucionale të mbrojtjes së të dhënave personale në Kosovë, në njërën anë dhe në anën tjetër fuqizon rolin e Kosovës në diskutimet evropiane mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtave të njeriut.