Java e Informimit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi vazhdon me Sekretarët e Përgjithshëm dhe Përfaqësuesit e Ministrive të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 29.09.2022

Java e Informimit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi vazhdon me Sekretarët e Përgjithshëm dhe Përfaqësuesit e Ministrive të Republikës së Kosovës

Agjencia për Informim dhe Privatësi sot mbajti konferencë me Sekretarët e Përgjithshëm dhe Përfaqësuesit e Ministrive të Republikës së Kosovës me qëllim të diskutimit mbi rëndësinë e së drejtës për qasje në dokumente publike e njëkohësisht edhe sfidat për realizimin e kësaj të drejtë.
Konferenca u hap nga Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva – Dërmaku, e cila tha se Kosova ka një kornizë ligjore të mirë harmonizuar me vendet më të zhvilluara evropiane, konceptin dhe rrugëtimin e të cilave po e ndjek, për sa i përket realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike.
Funksionalizimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, si organ i pavarur, përgjegjës për mbikëqyrjen e Ligjit për qasje në Dokumente Publike, me kompetenca dhe autorizime ligjore për të vendosur sanksione administrative ndaj institucioneve publike të cilat mohojnë të drejtën për qasje në dokumente publike, dhe kjo është një hap përpara që tregon drejtimin e Republikës sonë në përmbushjen e standardeve evropiane.
Panelistë në këtë konferencë ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, z. Arben Krasniqi, Drejtoresha Ekzekutive e Lëvizjes FOL, znj. Mexhide Demolli – Nimani, si dhe Gazetarja nga Klan Kosova, z. Ardiana Thaçi.
Agjencia për Informim dhe Privatësi paraqiti një raport statistikor ndaj Ministrive të Republikës së Kosovës, i cili nxiti një debat konstruktiv nga pjesëmarrësit. Komisionerje në mënyrë të veçantë theksoi se publikimi me vetiniciativë nuk është dëshirë e autoriteteve të institucioneve, por është obligim ligjor që duhet të zbatohet. Kështu që, në kuadër të diskutimeve të bëra, konferenca përfundoi me konkluzionet e paraqitura më poshtë:
• Të organizohen trajnime për zyrtarët për informim tek të gjitha Ministritë,
• Të i kushtohet rëndësi publikimit me vetiniciativë të dokumenteve publike dhe
• Rekomandohet që të gjitha Ministritë të nxjerrin rregullore të brendshme për klasifikimin e dokumenteve që nuk duhet të ndahen me publikun.
*Agjencia për Informim dhe Privatësi falënderon OSCE Mission in Kosovo për bashkëpunimin dhe përkrahjen në organizimin e kësaj Konference.
https://www.vudols.com