Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë organizuar një takim të përbashkët me Zyrtarët Komunalë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me ç’rast është themeluar Kolegjiumi i Zyrtarëve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në këtë takim, fjalë rasti mbajtën Drejtorja e Përgjithshme e AIP-së, Lumnije Demi dhe Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi. Zyrtarët komunalë patën mundësi të diskutonin për sfidat që përballen ata gjatë sigurimit të mbrojtjes së të dhënave personale në përputhje me legjislacionin përkatës.
Kolegjiumi i sapoformuar përbëhet nga z. Besnik Smakaj nga Komuna e Skenderajt si Kryesues, znj. Vlora Tafili nga Komuna e Klinës si Zëvendëskryesuese, dhe anëtarët z. Burim Elezi (Gjilan), znj. Habibe Bytyçi (Suharekë), z. Ibrahim Hajdari (Drenas), z. Asdren Peci (Mitrovica e Veriut), dhe z. Sava Simic (Novobërdë).
Në këtë takim u aprovua edhe Rregullorja e Punës së Kolegjiumit të Zyrtarëve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe u diskutua për draftin e Planit Vjetor të Punës.
Gjithashtu, u prezantua Manuali për Mbrojtjen e të Dhënave për Komunat nga eksperti z. Ardian Kryeziu, i cili do të ndihmojë komunat në aktivitetet e tyre në këtë sektor.