Agjencia për Informim dhe Privatësi mori pjesë në takimin e pestë të Iniciativës 2020, e cila konferencë mbledh autoritetet për qasje në dokumente publike nga vende të rajonit, me qëllim të adresimit të sfidave ligjore dhe praktike në fushën e qasjes në dokumente publike, si dhe shkëmbimit të përvojave mes autoriteteve për arritjet në zbatimin e ligjit.
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, dhe Udhëheqësja e Divizionit për Shqyrtim të Ankesave për Qasje në Dokumente Publike, znj. Arbëri Hiseni, prezantuan përparësitë strategjike të Agjencisë, duke theksuar Programin e Transparencës, i cili synon të promovojë publikimin proaktiv të dokumenteve dhe të lehtësojë qasjen në informacion.
Gjatë takimit, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku informoi pjesëmarrësit për procesin e digjitalizimit të shërbimeve të Agjencisë, përkatësisht për krijimin e një platforme që do të shërbejë si adresë e vetme për qytetarët dhe palët e interesuara për qasje në dokumente publike.
Pjesëmarrësit e konferencës, përfaqësues nga Sllovenia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, ndanë sfidat dhe përvojat e tyre mbi keqpërdorimin e së drejtës për qasje në dokumente publike, me ç’rast Komisionerja theksoi se AIP ka ndërmarrë një sërë veprimesh rregullative për të sqaruar çështjet lidhur me sekretin afarist dhe për të promovuar obligimin ligjor për zhvillimin e testit të dëmit dhe interesit publik.
Si rezultat i diskutimeve dhe shprehjes së interesit nga ana e Agjencisë për të organizuar takimin e radhës, autoritetet pjesëmarrëse votuan në favor të mbajtjes së Iniciativës 2020 në Kosovë për vitin 2025, si dhe për zgjedhjen e autoritetit kroat si Sekretariat të Iniciativës 2020.