Përkufizimet

Shprehjet e përdorura në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike kanë këtë kuptim:

Institucionet publike – nënkupton institucionet dhe organet e pushtetit shtetëror në vijim: qeverinë dhe administratën në nivelin qendror dhe lokal; personat fizikë apo juridikë, nëse ushtrojnë autoritet apo kompetenca administrative dhe vetëm në lidhje me to, kryejnë detyra publike, apo operojnë me fonde publike sipas ligjeve të Republikës së Kosovës; institucionet ligjvënëse lidhur me aktivitetet e tyre; institucionet e prokurorisë lidhur me aktivitetet e tyre; institucionet gjyqësore lidhur me aktivitetet e tyre; institucionet e pavarura të përcaktuara në ose të themeluara sipas Kapitullit XII të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat financohen me fonde publike; dhe kompanitë publike në të cilat shteti zotëron shumicën e aksioneve, apo të cilat ushtrojnë një funksion publik.

Dokument Publik– nënkupton çdo akt, fakt apo informatë në formë elektronike apo me zë, formë të shtypur, në incizime vizuale apo audio vizuale të prodhuara apo mbajtura nga institucioni publik;

Informacion – nënkupton, por nuk kufizohet në, të dhëna, fotograf, vizatime, video, flm, raport, akt, tabelë, projekte, drafte ose shtesa të tjera, të cilat prodhohen, pranohen, mbahen ose kontrollohen nga institucionet publike, pavarësisht nëse janë të përfshira në ndonjë dokument, si dhe pavarësisht burimit, kohës së krijimit, vendit të depozitimit ose ruajtjes, mediumin ose formën në të cilën gjendet, emrit ose institucionit publik në emër të cilit është krijuar ose çfarëdo karakteristike tjetër;

Të dhëna të hapura – nënkupton të dhënat e prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, të cilat mund të përdoren lirisht, të modifikohen dhe shpërndahen nga çdo person, me kusht që të mbesin të hapura dhe t’i atribuohen burimit;

Publikim – nënkupton vënien në dispozicion në një formë të qasshme për publikun dhe që përfshinë shtypin, transmetimin dhe format elektronike;

Hostim – nënkupton ofrimin e hapësirës në server dhe publikimi në internet i ueb faqeve;

Person – nënkupton çdo person fizik apo juridik, pa dallim mbi çfarëdo baze, i cili kërkon qasje në dokumente publike sipas këtij ligji;

Ripërdorimi i dokumenteve publike – ripërdorimi nga çdo person i dokumenteve publike për qëllime komerciale dhe jokomerciale tjera nga qëllimi fillestar për të cilat janë prodhuar dokumentet publike;

Testi i dëmit dhe i interesit publik – Testi ligjor që e vlerëson dëmin që do t’i shkaktohej interesit të mbrojtur kundrejt interesit publik për publikim, që duhet të bëjnë institucionet publike para marrjes së vendimit për refuzim të publikimit të dokumenteve publike me vetiniciativë, si dhe para marrjes së vendimit për refuzimin e kërkesave për qasje në dokumente publike, i cili duhet të përfshihet në arsyetim të vendimit mbi refuzim;

Agjencia – nënkupton Agjencinë për Informim dhe Privatësi, të themeluar në bazë të ligjit të veçantë për mbrojtjen e të dhënave personale;

Komisioneri – organ i pavarur, i emëruar nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të Agjencisë, i cili është përgjegjës për sigurimin e zbatimit të këtij ligji dhe të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale;

Zyrtar përgjegjës – nënkupton zyrtarin më të lartë administrativ të institucionit publik sikurse është përcaktuar me ligj, i cili është përgjegjës për vendimmarrje në kuadër të një institucioni publik;

Zyrtar përgjegjës për qasje në dokumente publike – zyrtar administrativ në kuadër të institucionit publik, i caktuar për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të pranuara për qasje në dokumente publike, për kryerjen e shqyrtimit fillestar të këtyre kërkesave, për ruajtjen dhe mbajtjen e evidencave të këtyre kërkesave dhe për raportimin rreth këtyre kërkesave;

Gjykata – gjykata kompetente e përcaktuar me ligjin mbi gjykatat kompetente për gjykimin e çështjeve administrative.