Agjencia për Informim dhe Privatësi, me mbështetje të EULEX Kosovo dhe Akademisë së Drejtësisë, me datë 30 Maj ka organizuar një punëtori me temën “Drejtësia përballë Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Qasjes në Dokumente Publike”. Punëtoria mblodhi së bashku përfaqësues nga institucionet e sundimit të ligjit, duke përfshirë gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues nga Policia e Kosovës, zyrtarë të prokurorive dhe gjykatave, si dhe zyrtarë të Inspektoratit Policor.
Në fjalën hyrëse, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, foli për rëndësinë e balancimit mes të drejtës së privatësisë dhe të drejtës për informim, duke theksuar se Agjencia vazhdon të bazojë praktikat dhe vendimet e saj në standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. ‘’Është thelbësore të kuptohet rëndësia e transparencës dhe llogaridhënies përmes publikimit proaktiv të dokumenteve publike, por gjithnjë duke iu shmangur publikimit të tepërt të të dhënave personale”-tha ajo.
Shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, në fjalën e tij theksoi përgjegjësinë e institucioneve për te garantuar zbatimin e ligjit për mbrojtje të të dhënave personale dhe për të siguruar qasjen në dokumente publike, duke shtuar: “Mbrojtja e të dhënave personale dhe transparenca e institucioneve publike nuk janë të ndara, por të dyja kontribuojnë në funksionimin e një shoqërie të drejtë dhe një qeverisje të hapur”.
Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, gjithashtu diskutoi për rëndësinë e edukimit dhe trajnimit të vazhdueshëm për zbatimin e plotë të këtyre ligjeve. Ai theksoi se: “Akademia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve ligjorë në mbrojtjen e të dhënave dhe qasjen në dokumente publike”.
Gjatë punëtorisë, trajnerët e AIP-së, përmes rasteve studimore, informuan pjesëmarrësit për kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike, të drejtat dhe obligimet e qytetarëve dhe autoriteteve publike, anonimizimin e të dhënave personale për të garantuar privatësinë, si dhe transparencën dhe përgjegjësinë e autoriteteve publike përmes publikimit proaktiv të të dhënave.
Në përfundim të punëtorisë, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku falënderoi pjesëmarrësit dhe mbështetësit, duke theksuar se Agjencia mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar dhe për të ofruar këshilla me qëllim të krijimit të një sistemi më të fortë, të pavarur dhe transparent të drejtësisë.