Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në bashkëpunim me Zyrën për Planifikim Strategjik të Zyrës së Kryeministrit, dhe me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë e që implementohet nga GIZ Kosova, organizoi sot një tryezë diskutimi mbi temën:
“Zvogëlimi i barrës administrative nëpërmjet Sistemit të Menaxhimit të Rasteve (CMS) për qasje në dokumente publike.”
Ndër të tjera, Sistemi i Menaxhimit të Rasteve CMS do të kontribuojë në:
Zvogëlim i barrës administrative në trajtimin e kërkesave dhe ankesave për qasje në dokumente publike.
Përmirësim i transparencës dhe llogaridhënies përmes monitorimit më efikas të performancës institucionale.
Rritje e disiplinës institucionale, duke garantuar trajtim të përgjegjshëm dhe në kohë të çdo kërkese.
Integrim me platformën eKosova për qasje më të lehtë dhe të digjitalizuar për qytetarët, bizneset dhe mediat.
Fjalë hyrëse mbajtën Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermaku, si dhe përfaqësuesit z. Kushtrim Canolli-
Koordinator i Procesit të Barrës Administrative në ZKM dhe z. Arben Salihu- Menaxher i Komponentës në GIZ Kosova, të cilët theksuan rëndësinë e këtij sistemi si një hap drejt sigurimit të realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike, zbatimit të obligimeve ligjore, si dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Tryeza përfshiu pjesëmarrjen aktive të përfaqësuesve nga institucione publike dhe Zyrtarëve Përgjegjës për Qasje në Dokumente Publike, duke nxjerrë rekomandime për zbatimin efikas të sistemit CMS.