❗️Përpunimi i të dhënave personale përmes peticioneve❗️
E drejta në peticion është e drejtë kushtetuese e ligjore dhe e mbrojtur me konventa ndërkombëtare 🔒. Në realizimin e kësaj të drejte, me qëllim të zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi, njofton organizatorët e këtyre nismave se:
Në kuptim të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, grumbullimi i të dhënave personale përbën përpunim të të dhënave, ku për një përpunim të tillë duhet të plotësohen kriteret e përcaktuara sipas legjislacionit përkatës 📑.
Organizatorët e këtyre peticioneve para, gjatë dhe pas marrjes së të dhënave personale të qytetarëve duhet të përcaktojnë qëllimin, masat organizative, sigurinë e përpunimit të këtyre të dhënave, të përcaktojnë personat kompetent që do të kenë qasje në këto të dhëna deri tek tranferimi/transportimi i tyre tek institucionet kompetene 📇.
Ata nuk duhet të përpunojnë këto të dhëna për qëllime tjera, por vetëm për qëllime të qarta dhe legjitime, si dhe të zbatojnë parimet e parapara në ligj, veçanërisht parimin e transparencës dhe minimizimit të të dhënave 🗂.
Grumbullimi i këtyre të dhënave duhet të bëhet duke marrë pëlqimin e subjekteve të të dhënave personale (qytetarëve) dhe ky pëlqim duhet të plotësoj kushtet për të qenë pëlqim legjitim, që nënkupton se duhet të jetë i dhënë lirshëm, të jetë specifik, i informuar dhe duke marrë një veprim të qartë pohues 📝✅.
Organizatorët, në cilësinë e kontrolluesit të të dhënave personale, në momentin e grumbullimit të të dhënave, duhet t’i ofrojnë qytetarëve së paku këto informacione:
🪪 identitetin e kontrolluesit të të dhënave ose përfaqësuesit të tij/saj,
📍 adresën ose vendqëndrimin dhe kur është e mundur edhe adresën elektronike dhe numrin e telefonit,
❔ qëllimin e përpunimit,
📝 informacionet lidhur me të drejtat e subjektit/qytetarit të përcaktuar në ligj.
Agjencia inkurajon organizatorët e këtyre nismave për organizimin e peticioneve të ndryshme që paraprakisht t’i ndërmarrin të gjitha masat e duhura ligjore dhe procedurale në përmbushjen e kritereve të parapara me qëllim që përpunimi i të dhënave personale të bëhet në harmoni me legjislacionin përkatës 📋.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, është e hapur të ofrojnë këshilla për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe në vazhdimësi do të siguroj mbikëqyrjen e zbatimit e tij. Për çdo shkelje të dispozitave të këtij ligji, Agjencia do të ndërmarrë masat e parapara sanksionuese, respektivisht do të shqiptojë gjoba për shkelësit e këtij Ligji ⛔️.