Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Avokuese për Kulturë Demokratike, Dusan Radakovic sot kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve në veri të Kosovës dhe AIP-së, si dhe për lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet e AIP-së në rajonet tjera të Kosovës.
Ky bashkëpunim do të përfshijë aktivitete të përbashkëta për ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e të dhënave personale dhe përmirësimin e transparencës përmes qasjes në dokumente publike.
Komisionerja, znj. Sogojeva Dërmaku dhe Drejtori i OJQ ACDC, z. Radakovic u zotuan të organizojnë takime periodike, të promovojnë punën dhe arritjet e AIP-së, të përfshijnë komunitetet jo-shumicë dhe shoqërinë civile në veri të Kosovës në aktivitetet e Agjencisë, si dhe të bashkëpunojnë për zhvillimin e raporteve dhe analizave.